KËNGË PËR QENIN

Poezi nga: Sergei Yesenin
Përktheu: Agron Tufa
Me ag në katoq të thekrës,
Ku varen rrogozë verdhashë,
Një bushtër polli këlyshët,
Shtatë këlyshë kuqalashë.
Gjer në muzg i përkëdheli,
Me gjuhë duke i lëpirë,
Dhe nga barku i ngrohtë
I pikonte bor' e shkrirë.
Edhe kur pulat në muzg
Hynë të flenë në qymez,
Erdh i zoti i saj vramuz
I futi të shtat' në thes.
Vrapon ajo mbi pirgje
Pas tij, në ankth, turbullirë ...
Por gjatë, sa gjat' u drodh
Faq' e pellgut të pangrirë.
Kur mbrapsht mezi hidhte hap,
Dhe lëpinte ijet me lyshtër,
I ngjau hëna përmbi hatë
Me njërin nga këlyshët.
Me vështrimin drejt zeniti,
Thershëm piskati përpjetë,
Ndërsa hënëza rrëshqiti
Pas kodre, dhe në fushë u fsheh.
Dhe shungull, si tallje lëmoshe,
Kur i flakin një gur mizor,
U rrokullisen sytë e qenit -
Yje të artë mbi dëborë.
[1915]




















































