Karvani shëndetësor “përSHËNDETje”, i cili ka vizituar fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës, ka mbërritur sot edhe në Istog, ku u ofroi qytetarëve informacione dhe këshilla praktike për përmirësimin e shëndetit përmes ndryshimit të mënyrës së jetesës, përcjell Telegrafi.

Gjatë aktivitetit, profesionistët shëndetësorë kanë zhvilluar sesione këshilluese mbi:


  • ushqyerjen e shëndetshme,
  • rëndësinë e aktivitetit fizik në përditshmëri,
  • pasojat që vijnë nga konsumimi i alkoolit dhe duhanit.

Përveç këshillave, qytetarët patën mundësinë të konsultohen drejtpërdrejt me stafin mjekësor, si dhe të kryejnë matjen e tensionit arterial dhe nivelit të glukozës në gjak.

Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me AQH Project, organizatën Syri i Vizionit dhe QKMF-Istog, duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit për kujdesin ndaj shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve. /Telegrafi/