Kallëzim penal kundër kryetarit të komunës së Kërçovës

MPB njofton se është parashtruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari për shkak se dyshohet se ka kryer veprat penale "punë e pakujdesshme në shërbim" dhe "rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina", përcjell Telegrafi Maqedoni
"DPB Kërçovë ngriti kallëzim penal kundër F.D. (51) nga fshati Sërbicë i Kërçovës, kryetar i komunës së Kërçovës, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale "punë e pakujdesshme në shërbim" dhe "rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina".
Ai, duke vepruar me pakujdesi në kryerjen e detyrimeve të tij ligjore dhe duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, që nga viti 2020, ka punuar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave dhe Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, duke lejuar krijimin e një deponie të paligjshme prej disa mijëra metrash katrorë në një zonë të banuar në Kërçovë, për të cilën u ka caktuar detyra punonjësve që të ruajnë, lënë ose shpërndajnë materiale të mbeturinave çdo ditë, përkatësisht t'i trajtojnë ato në një mënyrë që ndryshon cilësinë e ajrit, tokës, ujit ose rrjedhës së ujit, në një masë që mund të përkeqësojë kushtet e jetesës së njerëzve ose kafshëve dhe bimëve, duke rrezikuar kështu jetën e tyre", thuhet në njoftimin e MPB-së.

















































