LAJMI I FUNDIT:

Kafka prirje për pornografi?

Kafka prirje për pornografi?

Studiuesit e Kafkës për botën gjermanofone kritikuan dje deklaratat e një akademiku britanik sipas të cilit shkrimtari ka pasur prirje për pornografinë ekstreme.

James Hawes, njohës i Kafkës dhe romancier, pohon në librin e tij “Duke zhvarrosur Kafkën”, botuar dje në Britani, se shkrimtari ishte abonent i tregut të pornografisë. Të tërbuar, akademikët gjermanë reaguan duke e akuzuar Hawes-in për puritanizëm, për tendenca sensacionale, madje edhe për antisemitizëm.

“Hawes-i ka dhënë një vështrim përmes vrimës së çelësit, një Kafke me pantallona tek këmbët… por t’i quash revistat e ilustruara që ai abonohej, si pornografi e zellshme, është njëlloj si të krahasosh një poemë të Heinrich Heine-s me një sllogan reklame për McDonald-s”, shkroi Anjana Shrivastava, një studiuese e Kafkës, në Spiegel Online, duke e quajtur Hawes-in një “puritan”. Ajo tha se ai e ka bërë veten një “predikues të urrejtjes” në botën e studiuesve të Kafkës.

Kritizeri legjendar gjerman i Kafkës, Klaus Wagenbach, i cili ka botuar një sërë doracakësh në Pragën e lindjes së shkrimtarit,dhe ka përmendur imazhet pornografike në një libër që ka botuar më 1958, tha për “Frankfurter Allgemeine”: “Ky është një idiot … që s’di asgjë për Kafkën, por shkruan për të ashtu siç ka shkruar”.


Rainer Stach, një biograf i Kafkës, tha se buja që po shoqëron librin është “një marifet i pabesueshëm marketingu”. Askush nuk ka thënë kurrë më parë që Kafka ishte i dëlirë dhe i virgjër, por imazhet “pornografike” ishin “paraqitje shakatare, disa në llojin e karikaturës”.

Në qendër të kërkimit të Hawes-it janë kuadrot pornografike që ai mori në Bibliotekën Britanike dhe Bodleian, ku Kafka ishte abonuar në moshën njëzet vjeçare. Ato shfaqin imazhe të kafshëve që luajnë me fallusin e tyre, krijesa mashkullore si golem që rrokin gjokset e grave me kthetrat e tyre.

Por Hawes, i diplomuar në Oksford dhe që jep mësime për shkrimin krijues në Oxford Brookes University, iu përgjigjet kritikave duke pohuar se askush nga ata nuk e ka lexuar librin e tij dhe i akuzon për influencë të “një komploti censure”. Ai tha se nuk ka bërë deklarata se paska zbuluar prirjen e Kafkës për pornografi dhe vizita në shtëpitë publike, por që ka zbuluar se studiuesit e Kafkës kanë vendosur që pothuajse ta injorojnë temën.

“Po diskutojmë për një shkrimtar ndaj psikës së të cilit kanë qenë kaq të etur për ta deshifruar. Ata janë zhytur në çdo pusullë që Kafka ka shkruar, në çdo raport sigurimi që ai ka përpiluar ndonjëherë, duke kërkuar të dhëna. Ata nuk kanë vendosur që ta tregojnë këtë lëndë, padyshim, akoma shumë të fshehtë”, tha ai për “Guardian”.

Reagimi irritues ndaj librit të Hawes-it është shtrirë deri tek akuzat për antisemitizëm. Shrivastava tha që Hawes-i ishte shumë më i interesuar në “spekulimin nëse masturbohej apo jo Kafka” se në kërkimin e teorive që shkrimtari hebre, i cili vdiq para Holokaustit, e kishte parashikuar atë.

Por, të paktën një kritik gjerman e mirëpret librin e Hawes-it. “Jemi të shokuar dhe të xhindosur, por edhe të lumtur në të njëjtën kohë”, shkruan Ulrich Weinzierl në “Die Welt”. “Më në fund stilisti letrar ra nga piedestali i tij… dhe është po aq mëkatar sa ti dhe unë”. /telegrafi/shekulli/