Pas lajmit se Joost Klein refuzoi të përfaqësonte Holandën në Festivalin e ardhshëm të Këngës në Eurovision, këngëtari bëri një reagim në rrjete sociale.
Klein, i cili u skualifikua këtë vit para performancës finale në Malmo, mori një shans të ri për të përfaqësuar Holandën në Eurovision Song Contest, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Bazel.
Megjithatë, ai refuzoi.
“Është lakmi apo dëshirë? Kam vendosur që nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2025. Ekipi im dhe unë kishim gjithçka gati, por thjesht nuk ndihem mirë. Jam shumë mirënjohës për gjithë dashurinë nga e gjithë bota, por ky vit akoma më prek shumë, më duhet t’i jap vetes më shumë kohë për t’u rikuperuar”, ka shkruar ai në fillim të postimit.
Ai shprehet se ëndrra e tij ishte të merrte pjesë në Eurovision dhe se ia arriti.
“Ëndrra ime ishte të merrja pjesë në Eurovision dhe ia arrita. Për muaj të tërë kisha ndjesinë se duhej të kthehesha për të përfunduar punën. Megjithatë, në realitet – arritëm një qëllim më të lartë. Kënga ‘Europap’ bashkoi shumë. Kjo histori nuk ka të bëjë vetëm me mua, por edhe me ne, njerëzit nga e gjithë”.
I njëjti beson se qëllimi i tij në jetë është të lidhë njerëzit përmes muzikës, artit dhe performancës. Ai ka shkruar se turnetë e tij në Evropë dhe ShBA janë shitur dhe se së shpejti do të prezantojë albumin e tij.
Meqë ra fjala, televizioni holandez AVROTROS njoftoi pak ditë më parë se Joost Klein refuzoi ofertën për të përfaqësuar Holandën në Eurovision Song Contest vitin e ardhshëm.
Kujtojmë se Zvicra do të jetë nikoqire e edicionit të 69-të të Eurovisionit. Gara do të mbahet në St. Jakobshalle në Bazel. Netët gjysmëfinale do të zhvillohen më 13 dhe 15 maj, ndërsa finalja e madhe është caktuar të shtunën më 17 maj. /Telegrafi/