Fantashkenca e vitit 1982 e imagjinoi një metropol distopian, ku ngjarjet zhvillohen në nëntor 2019. Davit Barnett analizon për BBC-në se deri në ç’masë ai film e ka parashikuar realitetin e sotëm. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell më poshtë.
Qyteti shtrihet aq sa syri mund të shohë; dritat shkëlqejnë në ndërtesat e ngjitura me njëra-tjetrën – për dallim nga yjet që janë të padukshme në qiellin e natës të mbushur me smog… Flakët dalin nga kullat gjigande industriale. Një automjet fluturon në skenë, duke shkuar drejt dy piramidave monstruoze.
Një burrë gjithnjë e më i shqetësuar i nënshtrohet një testi verbal të zbatuar nga mbikëqyrësi i Korporatës “Tyrell”. Shohim një makinë tjetër fluturuese, që kalon në rrugët e ngushta të qytetit, me banerë digjitalë që paraqesin një grua aziatike që reklamon ushqim. Një zë me ngazëllim u flet banorëve për jetën në kolonitë e jashtme…
Natyrisht, kjo më nuk është e ardhmja. Është “Blade Runner” (“Vrapuesi në teh”), film i vitit 1982 me regji nga Ridley Scott i bazuar në romanin e vitit 1968 të shkrimtarit Philip K Dick, “A i ëndërrojnë robotët delet elektrike?” që flet për personin Rick Deckard, një polic i cili ndjek replikuesit “në pension” – humanoidët artificialë të inxhinierizuar gjenetikisht, pothuajse njerëzorë, prania e të cilëve në Tokë është e paligjshme pas një revolte në një nga kolonitë jashtë botës.
Kjo mund të tingëllojë larg nga realiteti ynë sot, por siç thuhet në fillim, ngjarja është vendosur në Los Angjelos, në nëntor 2019. Pra, ky nuk është më film i fantashkencës. Është triler. Çështja është kjo: në 37 vitet nga shfaqja, sa afër është paraqitur e ardhmja?
Nga njëra anë, janë ca detaje të vizionit për vitin 2019, që duken të çuditshme. Nuk ka internet dhe kur takohemi së pari me Deckardin, ai e lexon një gazetë të vërtetë, ndërsa zë strehë nga shiu pranë dritares së një dyqani që shet televizorë të vjetër katodikë.. Ndërkohë, kur e kryen testin Voight-Kampff – një provim për të dalluar replikantët nga njerëzit përmes përgjigjeve emocionale – ndihmësja e Eldon Tyrellit, shefit të kompanisë që krijon replikantët, pi cigare! Rachel pi cigare! Në zyre!?
Bota e “Blade Runner”-it është ajo në të cilën konglomerati “Tyrell” dominon bashkë me të tjerat që shfaqen te disa prej reklamave masive të neonit – duke luajtur me fatin nëse bizneset aktive të vitin 1982 do të vazhdojnë në vitin 2019. Coca-Cola ishte bast i sigurt, por PanAm-i bankrotoi më 1991.
Nga ana tjetër, jemi prapa në shumë aspekte teknologjike, ndonëse ca gjëra nuk janë të pamundshme. P.sh. kompania gjermane Lilium, njoftoi muajin e kaluar se makina fluturuese që po e zhvillon mund të jetë në përdorim si shërbim taksie më 2025. Nuk kemi njerëz artificialë, por kemi bërë përparime të mëdha në redaktimin e gjeneve. Ende nuk kemi nevojë për testin Voight-Kampff, por sa herë ju kërkohet të shënoni semaforët në një foto për të dëshmuar se s’jeni robot kur doni të keni qasje në një faqe interneti?
Sidoqoftë, “Blade Runner”-i kapet më shumë me ca tema socio-politike, aktuale në vitin 2019, thotë Michi Trota, redaktore në revistën “Uncanny Magazine”.
“Filmi e parashikon distopianë të dominuar nga interesant dhe korporatat, nga efekti në ambient i industrializimit masiv, shteti policor dhe tekat e të pasurve e të fuqishmëve që rezultojnë në kaos dhe dhunë, ndërsa e pësojnë margjinat sociale”, thotë ajo.
Në film, replikantët kanë jetëgjatësi prej 40 vjetësh. Trota beson se ka “diçka të ndërgjegjshme në zhgënjimin dhe mllefin e replikantëve për jetën e shkurtë, që vjen si rezultat i lakmisë së korporatës dhe indiferencës ndaj gjendjen aktuale të kujdesit shëndetësor në ShBA dhe shfrytëzimit të punëtorëve”.
Sa i përket efekteve shkatërrimtare nga ndotja dhe ndryshimi klimatik që është i dukshëm te “Blade Runner”-i dhe vazhdimi i vitit 2017, “Blade Runner 2049”, “kolapsi mjedisor që aq mirë shfaqet nuk është larg asaj që jemi sot”, thotë shkrimtari i fantashkencës dhe programeri Matthew Kressel, duke treguar foton famëkeqe të smogut në Pekin më 2013, që duket si sekuencë nga filmi. “Ndërsa, po i nënshtrohemi zhdukjes më të madhe masive, që nga dinosaurët 65 milionë vjet më parë. Po ashtu, përshkrimi i filmit për bollëkun dhe mungesën, ata që mund të bëjnë jetë të mirë derisa të tjerët jetojnë keq, është paralele e pabarazisë së madhe të shpërndarjes së pasurisë sot mes të pasurve dhe të varfërve. Në këtë aspekt filmi është mjaft i saktë”.
Në komentin e Kresselit më lart, Pekini – nga ku është kthyer autorja e fantashkencës, Mary Robinette Kowal – ka qenë pikë referimi kur diskutohet për metropolin e “Blade Runner”-it. A është qyteti i madh kinez përfaqësues më estetik i filmit sesa Los Angjelosi i ditëve të sotme? “Smogu nuk ishte shaka, kështu që në këtë aspekt, po”, thotë Kowal. “Por, në pjesët e Pekinit ku isha, pashë mbivendosje të konsiderueshme të së vjetër dhe të resë. Secila dukej e manifestuar në mënyrë të barabartë. Përveç cilësisë së ajrit, ishte qytet i pastër, modern, i ndërthurur me zona historike”.
Çështja është nëse “Blade Runner”-i vitit 1982 e parashikoi saktë botën e vitit 2019? Dhe, a është detyra e fantashkencës të jetë parashikuese, apo thjesht zbavitëse? Apo ndoshta diçka më shumë?
Kowal thotë se është më pak e interesuar për cilësitë e parashikuese të zhanrit, sesa për mundësitë që ofron si “një shesh lojërash për eksperimente mendimi”. “Kjo na lejon ta kapim botën tonë, të shohim indet e ndërlidhura e pastaj të tërheqim zinxhirët logjikë të kauzalitetit për të ardhmen. Fantashkenca ka rëndësi, jo për shkak të teknologjisë aty, por për shkak të dilemave që na detyron të shtrojmë. Për shembull, ‘Blade Runner’ pyet për moralin e krijimit të një jete të ndjeshme me qëllim të skllavërimit”.
Trota pajtohet se fuqia e vërtetë e fantashkencës shtrihet në çështjet më të gjera filozofike që eksploron. “Shpesh mund të bëhet fjalë për të ardhmen, mund të jetë ‘parashikuese’, por ato parashikime janë gjithashtu reflektuese për çështjet tona të përditshme dhe për të kaluarën tonë”.
Romani i fundit i Kowalit, e paraqet ShBA-në me histori alternative, ku një pilot dhe një matematikane udhëheqin misionin e njerëzimit drejt kolonizimit të botëve tjera, pasi ndryshimi apokaliptik i klimës e shkatërron Tokën. Autorja thotë se “Blade Runner” i ka modeluar “shumë ide tona se si duket e ardhmja… Ndotja, biseda me kompjuterët, korporatat që drejtojnë vendin dhe dilemat etike se kush konsiderohet person…”!
Nëse nuk është tamam parashikuese, fantashkenca ka lidhje me të tashmen. Kowal thotë: “Shumë njerëz nga fusha e STEM-it (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë – v.j.) i citojnë filmat ose librat e fantashkencës si frymëzimi për ndonjë zbulim. A e shpiku ‘Star Trek’-u telefonin që palohet, apo e nxiti? A e parashikoi ‘1984’-shi shtetin e Vëllait të Madh apo e ndaloi të përhapet”?
Po ashtu, fantashkenca mund të jetë paralajmërim për të përmirësuar drejtimin që marrim. Askush nuk dëshiron të jetojë në Nëntorin 2019 të përshkruar nga “Blade Runner”, apo jo? Kressel nuk është shumë i sigurt.
“Në një farë mënyre, ‘Blade Runner’ mund të cilësohet si rrëfimi i fundit paralajmërues”, thotë ai. “A ka ekzistuar ndonjëherë një vizion kaq i zymtë që tregon sesi degradimi i mjedisit, dehumanizimi dhe tjetërsimi personal janë kaq të dëmshëm për të ardhmen e botës? Megjithatë, mos asgjë tjetër, ‘Blade Runner’ tregon dështimin ndaj paralajmërimit. Në vend të kësaj, e kemi fetishizuar vizionin distopik të filmit. Shih pjesën më të madhe të artit që përshkruan të ardhmen, përmes letërsisë, filmit, artit pamor, dhe në pothuajse të gjithat do të shohim jehonën e distopisë së zymtë të ‘Blade Runner’-it. ’Blade Runner’ e bëri distopinë më ‘atraktive’ dhe sot jemi këtu duke u marrë me kolapsin mjedisor teksa digjen hektarët e pyjeve tropikalë. Mos asgjë, duhet të mendojmë pse nuk arritëm të dëgjojmë paralajmërimet që na u dhanë”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë