Izraeli thotë se ka filluar një 'seri sulmesh kundër Hamasit, në përgjigje të shkeljes së armëpushimit'.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë lëshuar një deklaratë, duke njoftuar se po kryejnë sulme shtesë ajrore në Gaza, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


"Në përgjigje të shkeljes flagrante të marrëveshjes së armëpushimit më herët sot (e diel), IDF ka filluar një seri sulmesh kundër objektivave terroriste të Hamasit në Rripin jugor të Gazës", thuhet në deklaratë.

Ushtria izraelite kreu sulme ajrore më herët në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pasi trupat e saj u qëlluan në një zonë pas vijës zyrtare të tërheqjes.

Hamasi tha se nuk ishte në dijeni të përleshjeve.

Një zyrtar ushtarak izraelit më pas i informoi gazetarët se sulme të tjera mund të kryhen sot në përgjigje të shkeljeve të dyshuara të armëpushimit.

Ndërkohë, Izraeli ka vendosur të ndalojë furnizimin me ndihmë humanitare për Rripin e Gazës, tha një zyrtar izraelit i sigurisë për Sky News.

"Në përputhje me direktivat, transferimi i ndihmës humanitare në Rripin e Gazës është ndaluar deri në njoftim të mëtejshëm, pas shkeljes flagrante të marrëveshjes nga Hamasi", ka thënë zyrtari.

Marrëveshja e armëpushimit e kishte angazhuar Izraelin të lejonte 600 kamionë që transportonin ndihmë në Gaza çdo ditë.

Siç theksohet më tej, Izraeli, deri më tani ka refuzuar gjithashtu të rihapë pikën kryesore kufitare të Rafah, e vetmja pikë hyrjeje që nuk kontrollohet ekskluzivisht nga Izraeli. /Telegrafi/