Ushtria izraelite thotë se ka "çaktivizuar plotësisht" aeroportin kryesor të Jemenit në kryeqytetin Sanaa, i cili kontrollohet nga Houthi.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se "pistat e fluturimit, aeroplanët dhe infrastruktura në aeroport" u goditën, transmeton Telegrafi.


Sulmi vjen dy ditë pasi Houthit e mbështetur nga Irani qëlluan një raketë që ra pranë aeroportit kryesor të Izraelit, duke e detyruar atë të mbyllej për pak kohë.

Të hënën, Izraeli u përgjigj duke goditur qytetin portual të Jemenit, Hudaydah.

Izraeli ka nisur disa raunde sulmesh kundër Houthitëve në Jemen, duke përfshirë shënjestrimin e një termocentrali dhe porteve në janar. Më parë ai sulmoi aeroportin e Sanaas në dhjetor.

Sulmet e së martës shënjestruan tre aeroplanë civilë, sallën e nisjeve, pistën dhe një bazë ajrore ushtarake, thanë burime të shumta të aeroportit për agjencinë e lajmeve Reuters.

IDF tha se aeroporti po përdorej nga Houthit për të "transferuar armë dhe operativë".

IDF tha se goditi gjithashtu termocentralet në Sanaa, të cilat i përshkroi si "infrastrukturë të rëndësishme të furnizimit me energji elektrike" për Houthi-t, si dhe fabrikën e çimentos al-Imran në veri të Sanaa-s.

Sulmi i së hënës në Hudaydah përfshiu gjithashtu sulme në një fabrikë tjetër çimentoje.

Porti është i dyti më i madh në Detin e Kuq pas Adenit, dhe është pika hyrëse për rreth 80% të importeve ushqimore të Jemenit.

Të paktën katër persona u vranë dhe 35 të tjerë u plagosën gjatë sulmit të së hënës, thanë Houthi-t.

Grupi fajësoi SHBA-në dhe Izraelin së bashku për sulmin, por një zyrtar i mbrojtjes amerikane i tha agjencisë së lajmeve AFP se forcat e tyre nuk morën pjesë.

Raketa Houthi e lëshuar drejt aeroportit Ben Gurion pranë Tel Aviv-it të dielën në mëngjes, ra pranë një rruge hyrëse pranë terminalit kryesor. Gjashtë persona u plagosën, thanë shërbimet izraelite të emergjencës.

Pas sulmit, Houthi-t thanë se do të vendosnin "një bllokadë ajrore gjithëpërfshirëse" ndaj Izraelit, duke synuar aeroportet në përgjigje të planeve të Izraelit për të zgjeruar operacionet e tij ushtarake në Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për hakmarrje kundër rebelëve Houthi për sulmin në aeroport, duke thënë: "Ne sulmuam në të kaluarën, do të sulmojmë edhe në të ardhmen". /Telegrafi/