Një zyrtar izraelit tha se Kryeministri Benjamin Netanyahu ishte në Arabinë Saudite dhe u takua me princin saudit të kurorës. Kjo është hera e parë që Izraeli konfirmon publikisht një vizitë në Arabinë Saudite nga një udhëheqës i tij, ndërkohë që dy vendet shtrëngojnë radhët kundër Iranit.
Njoftimi u bë fillimisht nga media izraelite, e cila tha të hënën se Kryeministri Netanyahu bëri një vizitë të fshehtë të dielën në Arabinë Saudite për bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Në njoftim thuhej se delegacioni i Izraelit përfshinte gjithashtu Yossi Cohen, shef i Mossadit, agjencia e inteligjencës kombëtare të Izraelit dhe citoheshin të dhënat e gjurmimit të fluturimit që tregonin një avion privat i cili udhëtonte nga Tel Aviv për në Neom të Arabisë Saudite dhe kthehej disa orë më vonë.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk përmendëte zotin Netanyahu në deklaratën e tij të së dielës për takimin e Pompeo me princin Mohammed bin Salman, i cili u zhvillua në Neom.
“Ata diskutuan mbi nevojën për unitet mes vendeve të Gjirit për t’iu kundërvënë sjelljes agresive të Iranit në rajon dhe për të arritur një zgjidhje politike të konfliktit në Jemen”, tha zëdhënësi Cale Brown.
Pompeo vizitoi Izraelin javën e kaluar dhe festoi me Kryeministrin Netanyahu marrëveshjet që Izraeli nënshkroi me Bahreinin, Sudanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për normalizimin e marrëdhënieve. Zoti Pompeo i ka kërkuar gjithashtu Arabisë Saudite që të normalizojë marrëdhëniet e saj me Izraelin. /VOA/