Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar ashpër pas veprimit të deputetëve të Listës Serbe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt në Ditën e Dëshmorëve.

Gjatë mbajtjes së një minute heshtje në nderim të dëshmorëve të Kosovës, të gjithë deputetët u ngritën në këmbë përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të cilët qëndruan ulur, duke e injoruar këtë akt solemn.


Sipas Islamit, ky veprim nuk është befasi, duke pasur parasysh që Lista Serbe vazhdimisht ka refuzuar të njohë shtetin e Kosovës dhe vlerat e luftës së UÇK-së.

“E pritshme, pra, këta janë ata që nuk e njohin shtetin tonë e as vlerat e luftës së UÇK-së. Pra, kushdo që në këtë moment hyn në koalicion me 'Listën Serbe', e rrezikon seriozisht sigurinë kombëtare”, deklaroi Islami.

Ai krahasoi situatën me Gjermaninë, ku partia e djathtë ekstreme AfD konsiderohet kërcënim për rendin demokratik dhe nuk pranohet në koalicione nga partitë e tjera.

“Si është e mundur që Lista Serbe te ne të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet nacionale, të zgjidhen deputetët e preferuar nga Vuçiqi, kur dihet se kjo parti udhëhoqi rastin 'Banjska', me në krye Radoiçiqin?!”, shtroi ai pyetjen./Telegrafi/