Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger kanë mbërritur ditën e mërkurë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ish-ministri I Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë disa sqarime rreth arritjes së këtyre dronëve, duke thënë se marrrëveshja ishte arritur në kohën sa ai kishte qenë ministër, por që nuk ishte bërë publike për shkak të sigurisë operacionale.


“Shumë mediume më kanë kërkuar sqarime lidhur me dronët kamikaz që tashmë kanë ardhur nga shteti mik turk. Dua ta konfirmoj qartë se: po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjet e para shtet me shtet, e cila kishte për qëllim furnizimin me kapacitete dronash Bayraktar, drona Puma, dronëve kamikaz dhe shumë armatim tjetër
Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale”, ka theksuar ai.

Mes tjerash, ai ka shtuar se tani që dërgesat janë të dukshme për gjithë “është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar”.

“Në atë periudhë, blerjet e armatimeve për ushtrinë dhe policinë shpesh kryheshin përmes kanaleve të ndryshme administrative. Me mbështetjen e Kryeministrit Kurti, si ministër kam vendosur dhe zbatuar një sistem të marrëveshjeve shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s, përmes të cilit na është mundësuar blerja e kapaciteteve strategjike në mënyrë transparente dhe të koordinuar. Këto marrëveshje na japin mundësinë të porosisim pajisje të ndryshme, sipas nevojave profesionale, nëse kemi buxhet dhe një vizion të qartë zhvillimor për ushtrinë tonë”, ka pohuar ai.

Mehaj ka folur edhe për reagimet e presidentit serb rreth ardhjes së dronëve kamikaz në Kosovë.

“Ndërsa sa i përket reagimeve të presidentit serb rreth ardhjes në Kosovë të dronëve kamikaz, dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Andaj, paqja në Ballkan është më se e domosdoshme, dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim. Me këtë rast, bëjmë thirrje që Serbia ta shmangë retorikën luftënxitëse dhe një herë e përgjithmonë të shkëputet nga politika e ish diktatorit Millosheviç”, deklaroi ai.

Ai ka pohuar se ka edhe shumë marrëveshje tjera që do të përmenden më vonë.

“Ka edhe shumë marrëveshje të tjera që do te përmenden më vonë, dhe ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi parë më parë. Këto punë i kam kryer bashkë me ekipin në Ministrinë e Mbrojtjes. Kosova dhe atdheu mbi të gjitha”, nënvizoi ai. /Telegrafi/