Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Deklarimin rreth fajësisë, Krasniqi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Dren Paca, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se i akuzuari dhe mbrojtësi i tij në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Paraprakisht, prokurori Paca tha se kanë dorëzuar edhe disa prova të cilat nuk kanë qenë në aktakuzë dhe të njëjtat ia kanë dorëzuar mbrojtjes.
Kurse, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Virtyt Ibrahimaga tha se Prokuroria nuk ua ka dorëzuar aktvendimin për fillimin e hetimeve, e që është e obliguar t’ua dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës.
“Prokuroria nuk i ka dorëzuar akoma kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, këto prova janë bazë në të cilën mbështetet aktakuza… këto prova akoma nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe për të pandehurin dhe për gjykatën”, tha Ibrahimaga.
Andaj, i propozoi Gjykatës që të obligojë Prokurorinë që në afat prej 10 ditësh t’ua dorëzojë aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, në mënyrë që mbrojtja e të pandehurit të ketë mundësi të deklarohet.
Gjykatësi Arben Hoti pas deklarimit të të pandehurit, obligoi Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të ofrojë provat e kërkuara nga mbrojtja.
Kurse, prokurori Paca tha se do ta respektojnë këtë afat, megjithëse i pandehuri kontratat në fjalë i ka nënshkruar në gjuhën angleze dhe i ka kuptuar.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.
Tutje, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.
Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.
Kjo përgjigje e grupit punues, sipas Prokurorisë nuk ishte dërguar e plotë. Në e-mailin e përcjellë nga Eljas Jashari, thuhet se ishin dërguar vetëm komentet mospajtuese që kundërshtonin të gjeturat e ZRrE-së, duke konsideruar se nuk kishin nevojë për licenca shtesë, meqë të njëjtat ishin të licencuara në shtetet e tyre.
“Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRrE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, thuhet se edhe nga opinioni i zyrës ligjore të KEK-ut, ku në ‘cc’ ishte edhe vetë i pandehuri Krasniqi, i kishte dhënë të drejtë ZRrE-së, duke e vënë në dijeni të akuzuarin Krasniqi që duhet të respektohet rregullatori pasi është autoriteti shtetëror që ka kompetencë për këtë fushë. Madje, sipas këtij opinioni edhe kur KEK-ka dërguar rastet në Gjykatë, ZRrE ka fituar rastet dhe kërkesëpaditë e tyte janë refuzuar, pasi kompetenca e tyre është përfundimtare për çështjet e energjisë elektrike.
Nagip Krasniqit, sipas aktakuzës i ishte dërguar edhe një e-mail nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë duke kërkuar nga Krasniqi konfirmimin nëse duhej tregtuar me operatorin “HSE”, duke theksuar se nga përgjigja dërguar ZRrE-se, nënkuptohej se duhej të vazhdohej tregtimi.
I akuzuari Krasniqi ishte përgjigjur “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRrE-së”. Si pasojë e kësaj, tregtimi me ketë operator të palicencuar kishte vazhduar deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në maj 2023, përkatësisht gusht 2023.
Me konfirmimin që drejtori operativ, Luigj Imeri kishte kërkuar nga kryeshefi Krasniqi, në këtë korrespodencës, sipas Prokurorisë thuhet se pas përgjigjes së Krasniqit, Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri ishin tallur.
“Hahaha ja ke prish tripat”, “Ej qetu Luigji ka pas me dhanë dorëheqje…i paska ra pishman”, ishin replikat në ketë e-mail zyrtar.
Operatori nga Sllovenia thuhet se nuk ishte në listën e kompanive të licencuara e sipas ARBK-së, as e regjistruar si biznes në Kosovë.
Tutje, në aktakuzë bëhet e ditur se pas shkresës se KEK-ut të 7 gushtit 2023, vërtetohet se pas arrestimit të Nagip Krasniqit (për çështje që nuk ndërlidhen me këtë rast), KEK më 19 maj 2023 fillimisht kishte njoftuar “HSE” se po e pezullonte bashkëpunimin për ta njoftuar me vonë se po e shkëpusin kontratën në mungesë të licencës se lëshuar nga ZRRE, duke e njoftuar se në momentin që “HSE” dëshmon posedimin e licencës të lëshuar ose të njohur nga ZRRE, atëherë KEK mund të iniciojë procesin e nënshkrimit të një kontrate të re.