Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroder, i cili është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe sektorin rus të energjisë, dënoi pushtimin rus të Ukrainës.
Por, gjermani gjithashtu bëri thirrje që lidhjet të mos ndërpriten me Moskën.
“Lufta dhe vuajtja që po sjellin për popullin e Ukrainës duhet të ndalen sa më shpejt që të jetë e mundur. Është përgjegjësi e qeverisë ruse”, tha Schroder.
“Vitet e fundit është folur shumë për gabime dhe lëshime në marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë. Dhe ka pasur shumë gabime – nga të dyja palët”, shtoi ish-kancelari gjerman, i cili është bërë i papëlqyeshëm në vendlindje për shkak të lidhjeve të ngushta me Putinin.
“Por interesat e Rusisë kur bëhet fjalë për sigurinë nuk justifikojnë përdorimin e mjeteve ushtarake”, tha ai, raporton dw.
“Sa i përket të ardhmes, duhet pasur kujdes që sanksionet e nevojshme të mos i ndërpresin plotësisht lidhjet politike, ekonomike dhe civile që ekzistojnë ende midis Evropës dhe Rusisë”, këshilloi 77-vjeçari Schroder, i cili në muajin qershor do t’i bashkohet bordit mbikëqyrjes së Gazpromit.
Schroder tashmë është anëtar i bordit të drejtorëve të Rosneft, kompania e parë ruse e naftës dhe e bordit të aksionarëve të Nord Stream 2, një tubacion i diskutueshëm ruso-gjerman, të cilën Gjermania e pezulloi të hënën.
Lidhjet me Rusinë kanë qenë subjekt i kritikave në rritje në Gjermani, dhe javët e fundit është përfolur se privilegjet e tij si ish-kancelar duhet të hiqen.
Ndryshe, kancelari aktual Olaf Scholz kohët e fundit u distancua nga ish-mentori i tij. /Telegrafi/