Site icon Telegrafi

Ish-eprori ushtarak, Ylli Mici rrëfen detaje nga stërvitjet ushtarake të guerilëve nga Kosova në Shqipëri më 1991

Takimi në mes Ramiz Alisë e Ibrahim Rugovës në vitin 1991 në Tiranë ishte historik për shumë arsye, ku përveç tjerash u bisedua edhe për mundësin e stërvitjeve të para ushtarake të grupeve guerile nga Kosova.

Grupi i parë nga Kosova kanë udhëtuar nga Prishtina dhe Shkupi kryesisht për në Cyrih të Zvicrës, ku nga aty është udhëtuar me autobus drejtë qytetit të Triestës në Itali, duke pasuar më pas lundrimi me traget për në Durrës.

Udhëtimi ka qenë i fshehtë edhe nga familjet.

Më 1 tetor 1991, Grupi i Parë që përbëhej nga 53 persona zbarkon në Durrës dhe pastaj me dy autobus në Repartin Ushtarak të Surrelit në Dajtë të Tiranës. Në këtë grup mes tjerësh ishin edhe Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha etj.

Ndërsa, në nëntor të vitit 1991 gjithçka u përgatit për të pritur Grupin e Dytë me 55 vullnetar, ku në këtë grup do të ishin edhe Adem Jashari, Ilaz Kodra, Sahit Jashari dhe Sali Çekaj.

Në një rrëfim ekskluziv për emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova, dëshmitari autentik, Kolonel Ylli Mici, përgjegjës i qitjes ka shpalosur detaje nga programi i këtyre stërvitjeve dhe arritja e këtyre vullnetarëve duke lavdëruar goxha shumë punën e tyre për aq kohë sa kishin ushtruar.

“Gjatë gjithë muajit, sepse ne bënim qitje pothuajse përditë, arritën t’i përvetësonin këto elemente të armëve të ndryshme dhe të realizoni qitje ashtu siç realizonin edhe ish-studentët tanë që dilnin oficerë”, u shpreh ai ndër të tjera për këta vullnetarë.

Ylli Mici në këtë rrëfim të rrallë gjithashtu shpalosi detaje se si improvizonin situata që kishin sa më shumë tensione që të testohej dituria e këtyre vullnetarëve që kishin marrë për aq kohë ushtrime

Në Grupin e Dytë të këtyre ushtrimeve ushtarake më 1991 në mesin e 55 vullnetarëve tjerë ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari.

Ai tha se atë kohë kishte të njëjtin respekt e mirësjellje me të gjithë vullnetarët e këtij grupi, sepse atë kohë në mesin e këtyre vullnetarëve nuk ishte diferencuar askush si hero.

“Ishin njësoj dhe ishin të përkushtuar për të kryer stërvitjet dhe nuk kemi pasë asnjë lloj problematike që ‘u lodha, s’u lodha, jo e bëjë këtë, jo se bëjë atë'”, tha ai.

Ish-kolonel Mici tha se këta vullnetarë nuk erdhën si qitës të mirë, por që arritën të bëheshin.

Ai ndër të tjera ekskluzivisht tregoi se si ushtronin në këto stërvitje Murat Jashari, Ahmet Berisha edhe pse ishin në një moshë të re, detaj këto që mund t’i ndiqni në videon e mëposhtme:

Exit mobile version