Ish-aleatja e Trumpit largohet nga Kongresi pas kritikave të tij

Kongresistja Marjorie Taylor Greene, njoftoi se po largohet nga Dhoma e Përfaqësuesve pas një ndarje dramatike me presidentin Donald Trump.
Greene, republikane nga Georgia, dikur konsiderohej një nga aleatët më të afërt të Trumpit dhe mbështetëse e idesë “America First”, por marrëdhënia mes tyre u ftoh kohët e fundit.
Në një video që publikoi në rrjetet sociale, ajo tha se ka vendosur të largohet nga Kongresi për shkak të rrezikut të përballjes me një kundërshtar brenda partisë që do të mbështetej nga Trumpi. Po ashtu, sipas saj, Dhomë e Përfaqësuesve është “shtyrë në plan të dytë” qëkur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë.
Greene shprehu respekt për veten dhe familjen e saj “kam shumë dinjitet dhe e dua shumë familjen time … nuk dua që rrethi im i dashur të kalojë nëpër zgjedhje brendapartiake të hidhura dhe plot urrejtje”.
- YouTube youtu.be
Ajo kritikoi gjendjen aktuale të politikës amerikane, duke thënë se as republikanët e as demokratët nuk po i adresojnë problemet reale që prekin qytetarët - si rritja e kostove të jetesës, borxhet, qiratë dhe çmimet e ushqimit.
Marrëveshja me Trumpin u prish për shkak të qëndrimeve të saj të pavarura: ajo kërkoi publikimin e dosjeve të Jeffrey Epstein, pavarësisht kundërshtimit të 79-vjeçarit, kritikoi udhëheqjen për mosveprim ndaj kostove të shërbimeve shëndetësore, dhe e quajti sulmin izraelit ndaj Gazës “gjenocid”.
Trump, përkundrazi, ka qenë i ashpër ndaj Greene: para votës për publikimin e dokumenteve të Epsteinit, ai e etiketoi si “tradhtare” dhe “turp për Partinë Republikane”, duke hequr mbështetjen për të.
Greene tha gjithashtu se ndjehet e tradhtuar “të jesh besnik nuk do të thotë që gjithmonë duhet të sakrifikosh gjithçka për dikë që nuk e ka reciprocitetin”.
Ndryshe, dorëheqja e Greene pritet të dobësojë shumicën republikane në Dhomë e Përfaqësuesve. /Telegrafi/


















































