Irani po rindërton arsenalin e tij të raketave, me shpejtësi të lartë - paralajmërojnë zyrtarët izraelitë

Irani ka rifilluar prodhimin masiv të raketave balistike gjashtë muaj pas konfliktit 12-ditor me Izraelin, me fabrika që veprojnë "pa ndërprerje" për të rindërtuar kapacitetet e shkatërruara në sulmet izraelite, sipas zyrtarëve ushtarakë izraelitë dhe vlerësimeve të inteligjencës rajonale.
Përfaqësuesi më i lartë ushtarak i Izraelit i paralajmëroi ligjvënësit gjatë një takimi të papublikuar të komitetit të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes të Knessetit se përpjekjet e Iranit për të rindërtuar kapacitetin e tij raketor po ecin me shpejtësi të lartë, raportuan mediat izraelite.
Diplomatët perëndimorë kanë ngritur shqetësime në javët e fundit se Teherani po përpiqet të përshpejtojë procesin e rimëkëmbjes pasi Izraeli shënjestroi një komponent kyç i prodhimit të karburantit të ngurtë për raketat balistike, në sulmet ndaj Iranit vitin e kaluar, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Teherani është kthyer në metodat më të vjetra të prodhimit të karburantit, sipas zyrtarëve rajonalë të informuar mbi vlerësimet e inteligjencës të cituara nga Ynet.
Ali Vaez, drejtor i projektit të Iranit në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, tha se zyrtarët iranianë i thanë atij se fabrikat e raketave po veprojnë "pa ndërprerje" dhe se "nëse ka një luftë tjetër, ata shpresojnë të qëllojnë 2,000 raketa menjëherë në vend të 500 raketave që qëlluan gjatë 12 ditëve".
Ndërkohë, Irani njoftoi të premten se po zhvillonte një stërvitje të madhe detare të IRGC-së në Gjirin Persik, duke thënë se stërvitjet përfshinin raketa lundrimi dhe balistike me një rreze veprimi prej 2,000 kilometrash, si dhe dronë vetëvrasës.
Tre sisteme mbrojtjeje ajrore u vendosën në stërvitje në kushte lufte elektronike.
Irani njoftoi gjithashtu të premten përfundimin e stërvitjeve të përbashkëta "anti-terroriste" në Azerbajxhanin Lindor, ku morën pjesë shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
Izraeli, nëpërmjet ndërmjetësve perëndimorë, është përpjekur t'i dërgojë një mesazh Iranit se nuk po kërkon një tjetër përballje të drejtpërdrejtë, sipas diplomatëve perëndimorë. Megjithatë, zyrtarët iranianë i kanë konsideruar mesazhet mashtruese dhe i kanë refuzuar ato. /Telegrafi/

















































