Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” me anë të një analize ka treguar se si Rusia dëshiron të akuzojë Ukrainën në atë që ia mveshi Kosovës vite më parë për trafikim të organeve.
Ky institut duke komentuar deklaratat e zëdhënësës së Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zakharova ka thënë se kjo është një përpjekje e radhës nga ana e Rusisë për operacion psikologjik.
“Kjo aktakuzë e Kremlinit, përveç se duhet të kuptohet se është një operacion psikologjik kundër Ukrainë dhe aleatëve perëndimor dhe ‘shembulli’ me të cilin është shërbyer zëdhënësja e [Vladimir] Putinit, por të cilin atëherë Perëndimi nuk e ka kuptuar”, thuhet në analizë.
Aty theksohet se kjo përpjekje për të akuzuar Ukrainën, bazohet në fabrikimet që dikur Rusia i kishte bërë Kosovës me anë të raportit të Dick Martyt.
“Përpjekja ruse për të akuzuar Ukrainën bazohet në fabrikimin e pikërisht të Rusisë që ia bëri Kosovës me raportin e Dick Martyt lidhur me akuzat se UÇK-ja dhe pjesëtarët e saj paskan kryer trafikim të organeve të njerëzve”, shton instituti.
Octopus kujton se rezoluta e Martit ishte nisur nga Konstantin Kosachev, që ishte pjesë e Rusisë në Këshill të Evropës.
“Dihet se rezolutën e tillë e kishte nisur Konstantin Kosachev, pjesëtar i atëhershëm i Rusisë në Këshillin e Evropës, nga u hartua Raporti famëkeq i Dick Martyt. Pra, përveç se i ka detyruar shtetet perëndimore që të bëjnë presion të institucionet e Republikës së Kosovës ta krijojnë Gjykatën Speciale, Rusia tani, në bazë të fabrikimit të vet, po përpiqet të ‘vërtetojë’ dhe një fabrikim të njëjtë për Ukrainën”, përfundon Octopus. /Telegrafi/