Infografika e D4D-së për Gorozhupin e Prizrenit: Sfida të mëdha, por potencial i lartë për zhvillim rural

Demokracia për Zhvillim (D4D) ka publikuar një infografikë për fshatin Gorozhup të Prizrenit, e cila paraqet sfidat aktuale me të cilat përballet komuniteti, por edhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm rural.
Sipas gjetjeve të D4D-së, mbi 25 fëmijë të moshës 0–5 vjeç nuk ndjekin asnjë institucion parashkollor, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe kostos së transportit privat, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, mungesa e transportit publik kufizon qasjen në arsim dhe mundësitë për punësim, veçanërisht për gratë, duke ndikuar në pjesëmarrjen e tyre në jetën ekonomike të zonës.
Raporti thekson se investimet në transport publik, ndriçim dhe arsim parashkollor do të ishin hapa të rëndësishëm për zhvillim afatgjatë dhe përfshirje më të madhe të grave në ekonomi.
Infografika është zhvilluar në kuadër të projektit “Vendimmarrja me dialog: Përmirësimi i jetës rurale përmes avokimit të grupeve të interesit”, me mbështetjen e projektit rajonal SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor, të zbatuar nga CPCD, në partneritet me IDM, CRPM dhe të mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). /Telegrafi/

















































