Incident teknik në Istog, rrjedhje klori nga një gyp i dëmtuar

Në Komunën e Istogut është shënuar një incident teknik si pasojë e një rrjedhjeje të klorit nga një gyp i dëmtuar.
Autoritetet komunale njoftojnë se situata është menaxhuar me shpejtësi dhe tashmë është plotësisht nën kontroll, pa paraqitur rrezik për qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, defekti është identifikuar dhe riparuar menjëherë nga ekipet përkatëse.
Uji i pijshëm nga burimi i Istogut është i pastër dhe i sigurt për konsum, ndërsa furnizimi me ujë po vazhdon normalisht.
“Në vendngjarje ka qëndruar drejtori i Emergjencave, Xhevat Demaj, i cili ka mbikëqyrur nga afër menaxhimin e situatës dhe ka konfirmuar se nuk ka rrezik për shëndetin publik”, thuhet në komunikatë.
Komuna e Istogut, në koordinim me institucionet përgjegjëse, ka theksuar se do të vazhdojë monitorimin e cilësisë së ujit, për të garantuar standardet më të larta të sigurisë për qytetarët.

















































