Sulmuesi legjendar Zlatan Ibrahimovic ka kritikuar sjelljen e kombëtares së Argjentinës ditët e fundit dhe Sergio Aguero i ka dhënë përgjigjen të ashpër.
Ibrahimovic ka mbetur i zhgënjyer me sjelljen e kombëtares së Argjentinës dhe kritikat e tij janë mjaft të bazuara. Zlatan lavdëroi Lionel Messin, por kritikoi futbollistët e tjerë, mbi të gjitha portierin Emiliano Martinez.
“Më vjen keq për Mbappen sepse nëse shënon katër gola në finale dhe nuk fiton Kupën e Botës është shumë e trishtueshme. Por ai do të fitojë një tjetër kampionat, ai tashmë e ka fituar një, kështu që nuk shqetësohem për të”.
“Unë jam i shqetësuar për lojtarët e Argjentinës sepse ata kurrë nuk do të fitojnë asgjë. Messi fitoi gjithçka dhe do të mbahet mend. Të tjerët që u sollën keq nuk do ta mbahen… Ne nuk duhet ta respektojmë këtë”, ka thënë Ibrahimovic.
I pari që guxoi ta kundërshtonte ishte legjenda e Argjentinës dhe Manchester Cityt, Sergio Aguero.
Sulmuesi i famshëm iu përgjigj suedezit në transmetimin e tij në Twitch.
“Ajo që tha është e vrazhdë. Ai nuk mund të thotë se ne nuk do të fitojmë më. Unë mendoj se para se të fillonte të shqetësohej për Argjentinën, ai mund të shqetësohej për vendin e tij, për lojtarët e tij… Ata nuk janë as pjesëmarrës në kampionatin e fundit botëror”, ka thënë Aguero.
Duke ditur temperamentin e Zlatanit, nuk ka dyshim se do të ketë një përgjigje tjetër nga ylli i Milanit. /Telegrafi/