Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli në seancën e sotme, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka braktisur Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe është ulur ndaras nga kolegët e tij të kësaj partie.
Humolli është ulur tek ulëse e deputetëve opozitarë, afër grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila shkoi dhe bisedoi me Humollin, por duket se biseda e saj nuk rezultoi me sukses, pasi deputeti i LVV vazhdoi të qëndrojë ulur në rreshtin e deputetëve opozitarë, si i pavarur.
Ndryshe, Humolli, një ditë më herët (të martën) kishte paralajmëruar se nga dita e mërkurë (sot) do të jetë deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se ky vendim ka ardhur pas pakënaqësive të tij në Vetëvendosje dhe për shkak se subjekti në fjalë nuk i ka marrë parasysh kërkesat e tij.
“Unë jam deklaruar publikisht që kjo Qeveri e meriton dy vite me e provu me pa se si do të punon si do ta zhvillon vendin, kurse unë kam pas pakënaqësi për shkak se kur kam hy në listë i kam pasur tri kërkesa të mijat për arsye të thjeshtë duke pa gjendjen faktike çfarë ka qenë Kosova”, tha Humoll, për tëvë1.
Tutje ai theksoi se Vetëvendosje nuk e ka kuptuar pse i ka marrë 51 për qind të votave në zgjedhjet e fundit.
Ndryshe, deri më tani nga grupi parlamentar i LVV-së janë larguar deputetët Doarsa Kica-Xhelili dhe Haki Abazi./Telegrafi/