Site icon Telegrafi

Historia e gjuhëve

Si dokumentet më të vjetra të gjuhës së shkruar cilësohen shkrimet kuneiforme, ku shenjat në formë pyke janë shtypur mbi pllaka të buta argjili (Foto: Hendrik Schmidt/dpa/picture alliance)

Nga: Alexander Freund

Njohuritë e grumbulluara mund të humbasin shpejt, për shembull për shkak të metodave të vjetruara të regjistrimit, që nuk i përdor më sot askush. Informacioni në një disketë apo në një disk mbetet i padobishëm, kur mungojnë pajisjet përkatëse për t’i dëgjuar. Kësaj i shtohet edhe fakti që gjuha dhe shkrimi vazhdimisht zhvillohen, saqë edhe informacioni i një libri – që gjithsesi mund të hapet – bëhet i pakuptueshëm. Është gati e pamundur të arrish në informacione, që nuk janë të shkruara askund dhe të jenë ruajtur për pasardhësit.

Prandaj, është aq e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes, se cila është gjuha më e vjetër e botës. Gjuhët mund të transmetohen nga brezi në brez me shekuj, por bien në harresë nëse nuk kanë lënë gjurmë me shkrim.

Vetëm gjuha e shkruar lë gjurmë që dokumentohen. Dhe, vetëm kur është shkruar mbi një material, që i ka rezistuar kohës. Shkrimet mbi materiale organike – si për shembull lëvore – kryesisht kanë humbur, ndërsa tekstet mbi gurë ose argjilë ndonjëherë janë ruajtur për mijëra vjet. Nëse ne jemi sot në gjendje edhe t’i lexojmë dhe t’i kuptojmë, kjo është diçka tjetër.

Si dokumentet më të vjetra të gjuhës së shkruar cilësohen shkrimet kuneiforme, ku shenjat në formë pyke janë shtypur mbi pllaka të buta argjili. Shkrimet më të vjetra të njohura kuneiforme rrjedhin nga sumerët . në Mesopotani, në “territorin ndërmjet lumenjeve” Eufrat dhe Tigër (në Irakun e sotëm). Tekstet datojnë nga periudha rreth vitit 3.200 p.e.s. Eposi i Gilgameshit është vepra më e njohur e gjuhës sumere. Gjuhët kuneiforme kanë qenë vendimtare edhe për zhvillimin e mëvonshëm të shkrimeve evropiane.

Hieroglife hetite

Pothuajse aq të vjetra janë edhe hieroglifet egjiptiane, që janë shkruar në varrin e faraonit Seth-Peribsen, 2775-2650 p.e.s duke u ruajtur kështu për pasardhësit. Fjalia e gjetur aty: “Ai ka bashkuar të dy vendet për djalin e tij, mbretin e dyfishtë Peribsen”, konsiderohet nga ekspertët si fjalia më e hershme e shkruar plotësisht.

Shkrimi është ruajtur, por ne vetëm mund të imagjinojmë se si kanë tingëlluar gjuhët më të vjetra të shkruara – sumerishtja, akadishtja dhe gjuha e Egjiptit të lashtë. Sepse, të tria gjuhët janë zhdukur, ato nuk përdoren më dhe nuk kanë pasardhës të gjallë.

Në mbarë botën sot ka 7 100 gjuhë, nga të cilat 40 për qind janë të rrezikuara të zhduken. Disa gjuhë fliten nga më pak se 1 000 vetë dhe ekziston rreziku që ato të zhduken pas disa brezash. Kjo do të nënkuptonte humbjen e një pjesë të qenësishme të identitetit kulturor.

Nga ana tjetër ka 23 gjuhë të cilat i përdor më shumë se gjysma e popullsisë së botës. Dhjetë gjuhët më të folura në mbarë botën janë anglishtja, gjuha kineze (mandarin), spanjishtja, hinduishtja, arabishtja, frëngjishtja, bengalishtja, rusishtja, portugalishtja, urduishtja. Në vendin e dymbëdhjetë vjen gjermanishtja.

Dokument në sanskritisht që ekziston prej më shumë se 2500 vjetëve

Teksa gjuhët më të vjetra të shkruara janë zhdukur, disa gjuhë shumë të vjetra vazhdojnë të jetojnë ende sot, si për shembull gjuha tamile e cila nga shumë gjuhëtarë konsiderohet si gjuha më e vjetër në përdorim.

Gjuha tamile është njëra nga 22 gjuhët zyrtare të Indisë dhe flitet në Indinë jugore dhe Shri Lankë nga afro 85 milionë vetë. Shkrimet e hershme tamile datojnë nga shekulli V p.e.s. Megjithatë, analiza e Tolkāppiyam-it, një teksti gramatikor në gjuhën tamile, lë të kuptosh se gjuha tamile duhet të jetë së paku 5000-vjeçare, por sot thuajse nuk flitet. Shënimet më të vjetra në sanskritishte ekzistojnë prej më shumë se 3000 vjetëve, janë tekste hinduiste të përpiluara midis viteve 1500 dhe 1200 p.e.s. të shkruara si veda – përmbledhje tekstesh fetare. Ajo ka qenë kryesisht një gjuhë dijetarësh, e përdorur në tekstet e vjetra indiane, në shkrimet fetare dhe në veprat letrare. Megjithatë, nga sanskritishtja e kanë origjinën shumë gjuhë moderne të Indisë dhe si dialekte rajonale.

Gjuha kineze është një nga gjuhët më vjetra në botë e folur në vazhdimësi dhe që përdoret sot nga më shumë se një miliardë vetë. Rrënjët e gjuhës mund të gjurmohen deri në mijëra vjet më parë. Ajo supozohet të ketë dalë rreth 4500 vjet më parë nga proto-sino-tibetianishtja, e cila konsiderohet si paraardhëse e gjuhëve birmaneze dhe tibetiane. Gjetjet më të vjetra të gjuhës së shkruar kineze konsiderohen mbishkrimet mbi guaskat e breshkave dhe eshtrat e kafshëve, të cilat janë rreth 3300-vjeçare.

Ndër gjuhët më të vjetra, që fliten ende, bën pjesë edhe hebraishtja dhe arabishtja. Rrënjët gjuhësore të këtyre dy gjuhëve afro-aziatike shkojnë në 10-20 mijë vjet më parë, megjithëse gjetjet më të hershme të shkruara të këtyre dy gjuhëve datojnë “vetëm” rreth 3000 vjet më parë.

Edhe pse nuk mund të gjenden prova të shkruara, njerëzit kanë pasur sisteme komplekse komunikimi, që i kanë lejuar ata të komunikojnë për mijëra vjet. Ekzistojnë teori të ndryshme gjuhësore për origjinën e gjuhës njerëzore, por asnjëra prej tyre nuk është e vërtetuar plotësisht.

Gjuha njerëzore mund të ketë lindur nga një kombinim faktorësh, duke përfshirë zhvillimin kompleks të trurit, ndërveprimin social dhe nevojën për bashkëpunim në gjueti dhe mbledhjen e ushqimit. Gjuha mund të ketë dalë me kalimin e kohës nga kombinimi i gjesteve të duarve dhe lëvizjeve të trupit.

Pamje nga muzeu i Neandertalit në Gjermani

Ekziston edhe teoria se dikur ka ekzistuar një e ashtuquajtur “protogjuhë”, një gjuhë e përbashkët parahistorike, nga e cila kanë rrjedhur të gjitha gjuhët moderne me kalimin e kohës. Megjithatë nuk ka prova të mjaftueshme se një gjuhë e tillë e përbashkët universale ka ekzistuar ndonjëherë.

Ka më shumë gjasa që shoqëritë parahistorike të kenë patur shumë gjuhë dhe dialekte të ndryshme rajonale, të ngjashme me sot. Diversiteti i gjuhëve njerëzore u zhvillua me kalimin e kohës përmes izolimit gjeografik, shkëmbimit kulturor dhe migrimit.

Kur grupet e njerëzve u ndanë dhe u ekspozuan në mjedise të ndryshme, gjuhët e tyre u zhvilluan në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kjo çoi në krijimin e morisë së gjuhëve që kemi sot. /DW/

Exit mobile version