Telegrafi

Histori të çuditshme dhe të panjohura nga epiqendra e kinematografisë: Edhe ky është Hollywoodi!

Kush u bë i famshëm pasi u zbulua nga policia si përdorues i marihuanës? Sa “doza” droge kishte në vete John Belushi në ditën e vdekjes? Si ndodhi që 50 aktorë amerikanë, në mesin e tyre edhe John Wayne, të vdesin nga kanceri? Cila aktore “zbuloi” vrapimin lakuriq në mes të rrugës? Kush e rrahu Madonnën?

Hollywoodi mbetet firma më e njohur e biznesit amerikan. “Fabrika e ëndrrave” bluan gjithçka dhe mbijetoi gjithfarë krizash. Në vazhdim, do të njiheni me disa nga rastet më interesante nga historiati i Hollywoodit.

KOBI I NUMRIT 13

Që numri 13-të njëmend mund të jetë tragjik, dëshmon rasti i aktores Peg Entwistle, e cila pas një rolin episodik në filmin “Trembëdhjetë gra”, u gjuajt nga shkronja e trembëdhjetë e mbishkrimit të madh në mal, HOLLYWOODLAND. Mbase nuk e keni ditur që pas këtij rasti, magnatët e Hollywoodit vendosën ta heqin shtesën “Land” nga mbishkrimi në malin afër Los Angelosit.

FATI I MARIHUANËS

Policia amerikane në vitin 1948 me ngulm kërkonte të zë dikë prej aktorëve të cilët përdornin drogë. Robert Mitchum u bë kështu “viktimë” e këtij synimi teksa kishe ndezur një xhoint. Kamerat policore xhiruan Mitchumin, i cili duke qeshur hynte në makinën policore. Ky qëndrim rebel i tij bëri që pastaj shumë producentë dhe regjisorë në Hollywood ta ftojnë atë në filmat e tyre. Kështu, Mitchum u bë me karrierë të famshme në Hollywood.

KOBI I SHKRETËTIRËS

Në vitin 1954, në shkretëtirën Utah do të xhirohet filmi “Pushtuesi”, kushtuar Xhingis Kanit, mbase perandorit më të njohur në historinë e njerëzimit. Kryeroli i takoi John Waynet, i cili deri atëherë shumë më tepër ishte i njohur si “djali i mirë” i filmave Western. Ekipi i këtij filmi s’kishte haber që Qeveria amerikane, vetëm një vit më parë në këtë shkretëtirë kishte bërë eksperiment me bomba atomike. Tridhjetë vjet më vonë, si pasojë e rrezatimit të tepruar, dhjetëra veta që morën pjesë në këtë film sëmuren prej kancerit. Nuk do të besoni që madje 50-të prej tyre vdiqën prej kësaj sëmundjeje, në mesin e tyre edhe vetë John Wayne.

VDEKJA E TË PAVDEKSHMIT

George Reeves ishte njëri prej supermenëve më të njohur në historinë e Hollywoodit. Reeves në moshën 45- vjeçare vdes në rrethana jo fort të qarta. Sipas një versioni, Reeves ishte mërzitur aq shumë me rolin e tij të Supermenit sa që përkundër pasurisë dhe famës, bëri vetëvrasje. Versioni tjetër lidh fundin e tij tragjik me problemet e këtij aktori me mafien. Kështu, Supermeni qiellor u hoq nga skena nga nëntoka.

VRASJA E TË PAVDEKSHMËVE

Fundvera e vitit 1969 në Hollywood do të kujtohet për masakrimin e Sharon Tate, aktores së njohur dhe gruas së regjisorit Roman Polanskit, nga ana e Charles Mansonit dhe grupit të tij. Manson këtë vrasje madje e pat lidhur me Albumin e Bardhë të The Beatles, posaçërisht me këngën “Helter Skelter” të Paul McCartneyit. Aq më tepër, Manson, në murin e shtëpisë së viktimës, pos tjerash kishte shënuar edhe listën e viktimave eventuale. Hollywoodi u shastis kur mori vesh se Manson e kishte ndërmend të vrasë gjysmën e yjeve të njohura.

VRAPIMI I AKTORES

Lin Renay, një aktore jo shumë e njohur, siguroi një vend të veçantë në historinë e Hollywoodit me një gjest që më vonë do të aplikohet prej shumëkujt. Ajo, krejtësisht lakuriq, e “veshur” vetëm me erë parfumi, vrapoi nëpër qendër të qytetit.

SKANDALI I REGJISORIT

Roman Polanski i përmendur pak më parë, kujtohet edhe me aferat e tij të shumta seksuale. Në vitin 1978, Polanski do të bëjë gabimin e tij më të madh dhe më të shtrenjtë në aventurat dhe jetën e tij. Ai, në shtëpinë e Jack Nicholsonit do të ketë marrëdhënie seksuale me një vajzë të moshës 13-vjeçare. Polanski më vonë do të deklarojë: “Kam menduar që i kishte 16 vjeç”, gjë që vetëm ia vështirësoi pozicionin e tij para policisë dhe ligjit. Autoritetet amerikane, tepër rigoroze në këtë aspekt, sot e asaj dite ia kanë ndaluar kthimin në Amerikë.

VDEKJA TRAGJIKE E NJË KOMIKU

Vdekja e John Belushit, njërit prej komikëve më të njohur amerikanë me prejardhje shqiptare, sot e kësaj dite është objekt i thashethemeve të shumta. “Blues Brothers” qëmoti janë kult në vete, mbase, duke falënderuar edhe vdekjes së Johnit që më shumë përkon me rok yjet e viteve të tetëdhjeta. Përndryshe, në ditën e vdekjes, Belushi ka qenë në një hotel tok me Robin Williamsin, kolegun e tij që tek në të nëntëdhjetat do të bëhet i famshëm. Më vonë është marrë vesh që Belushi hiç më pak se njëzet herë ka marrë heroinë dhe kokainë atë ditë. Mjekët kanë konstatuar që nuk ka pasur kurrfarë gjase që ky të shpëtojë.

RRAHJA E NJË YLLI TË FAMSHËM

Sean Penn, aktori i shquar amerikan ka qenë burri i parë i Madonnës në vitet kur kjo akoma nuk kishte treguar të gjitha aftësitë e saja. Në vitin 1988, Sean Penn, pos tjerash, për të “disiplinuar” Madonnën, në Malibu – pushimoren e njohur – e pat lidhur atë me litar për karrige. Duket që Sean Penn është burri i fundit që ka mundur të sillet në këtë mënyrë me Madonnën. Atëbotë, kur ky incident mori dhenë, Sean Penn dhe Madonna krahasoheshin me çiftin e famshëm Richard Barton Elizabeth Taylor, të cilët aq sa duheshin, aq edhe grushtoheshin. Por, për dallim prej Taylor dhe Barton të cilët u ndanë dhe u martuan disa herë, Penn dhe Madonna më kurrë nuk iu kthyen njëri-tjetrit.

DASHURIA E GJYSHIT ME MBESËN

Rrëfimi është pak a shumë i njohur. Woody Allen, regjisori dhe aktori më spirituoz amerikan, kur i kishte 56 vjet, u dashurua në vajzën e adaptuar 21- vjeçare të dashnores së tij, aktores Mia Farrow. Soon Yi dhe Woody Allen, me dallim aq të madh të moshës, megjithatë disi ia dolën të përballojnë jo vetëm akuzat e Mia Farrowit, por edhe neverinë e opinionit i cili nuk mund të kuptonte si është e mundur që të kallet dashuria midis dy vetave me dallim aq të madh moshe.

FAMILJA E MALLKUAR

Gjatë xhirimit të filmit “The Crow”, në vitin 1993, do të ndodhë një tragjedi e cila vërtet ishte krejtësisht specifike, madje edhe për Hollywoodin. Brandon Lee, i biri i yllit të kung-fusë, Bruce Lee, do të vritet aksidentalisht, sepse mjeshtërit e piroteknikës kishin harruar të zbrazin një revole e cila kishte municion të vërtetë. Ky fund i tij, që shihej si trashëgimtarë i mirëfilltë i të atit, bëri që të shtohet fama e kobshme e familjes Lee. Dihet që sot e kësaj dite, vdekja e Bruce Leesë mbetet enigmatike për opinion. Nuk dihet a ishte vdekje apo vrasje. Aq më tepër, ithtarët e tij mendojnë që ky akoma është gjallë dhe që fshihet diku në xhungël.

TAKIMI I MALLKUAR

Keni dëgjuar për ndarjen e Elizabeth Hurleyit dhe Hugh Grantit? Me siguri që po. Thuhet që ky epilog i lidhjes dhe fejesës së tyre 12-13 -vjeçare, i ka fillet në aferën e Grantit me një prostitutë, të quajtur Divine Brown, e cila u zbulua nga policia lokale. Hugh pastaj kërkoi njëqind herë falje të fejuarës, herë publikisht e herë “sy më sy”, por Hugh Grant nuk është Bill Clinton që gruaja dhe opinioni t’ia falin gabimin, apo jo. Gabim të ngjashëm bëri edhe Charlie Sheen, i cili nuk fsheh që harxhon qindra -mijëra dollarë në prostituta. Më në fund, “në flagrancë” u zu edhe këngëtari George Michael, i cili pastaj u detyrua të pranojë që për vite me radhë ka ndërruar afinitetet e tij gjinore në seks. Diç të ngjashme përjetoi edhe aktori i preferuar prej fëmijëve, Pee Wee Herman, të cilin policia e arrestoi për shkak të masturbimin në vend publik. Natyrisht, Pee Wee Herman u përjashtua menjëherë nga TV.

VIDEOJA MË SKANDALOZE

Ky cilësor i takon, po kujt tjetër, xhirimeve të aktit seksual të çiftit Pamela Anderson-Tommy Lee. Thuhet që kinse krejt kjo nisi rastësisht, që Pamela dhe Tommy e bënë xhirimin “për vete”, por që pastaj “dikush” ua “vodhi” kasetën dhe e shpërndau përmes internetit në tërë botën. Të njëjtin “lojë” Pamela e ka bërë edhe me burrin e ri të saj. Sidoqoftë, ky xhirim ndikoi në popullaritetin e Pamela Andersonit. /Telegrafi/