Hipotiroidizmi ështe një gjendje që karakterizohet me prodhim të ulët të hormoneve të gjëndrës tiroide. Ka mjaft sëmundje të cilat rezultojnë në hipotiroidizëm dhe në mënyrë direkte ose indirekte, prekin gjëndrën tiroide
Ass.dr. Merita Emini Sadiku, dr.sci
Interniste-endokrinologe-diabetologe
tel: 044 660 900
Pasi hormonet e gjëndrës tiroide ndikojnë në rritje, zhvillim dhe mjaft procese qelizore, mungesa e këtyre hormoneve reflektohet me një laramani të theksuar të shenjave dhe simptomave në trup. Ky shkrim ka të bëjë ekskluzivisht me hipotiroidizmin tek të rriturit.
Gjëndra tiroide prodhon hormone specifike. Kjo gjëndër ndodhet në pjesën e poshtme të qafës, poshtë të ashtuquajturës mollës së Adamit. Gjëndra shtrihet mbi trake në formë të fluturës me dy krahët e saj (lobet) dhe pjesën e mesme (istmusin). Ajo përdor jodin për të prodhuar hormonet e tiroides (i cili më së shumti merret me dietë në ushqime të tilla si ushqime deti, bukë dhe kripë). Dy prej hormoneve më të rëndësishme të tiroides janë tiroksina (T4) dh trijodtironina (T3). Hormoni me aktivitet biologjik është T3 i cili vepron direkt ne metabolizmin e qelizave të trupit.
Rregullimi i hormoneve të tiroides
Gjëndra tiroide vetkontrollohet nga një gjëndër tjetër e cila është e lokalizuar në tru dhe e cila quhet hipofizë. Niveli i prodhimit te hormoneve të tiroides kontrollohet nga gjëndra pituitare ose hipofiza.
Aktiviteti i gjëndrës së hipofizës rregullohet nga tiroidja dhe nga një gjëndër tjetër që quhet hipotalam, me mekanizëm “feedback”-që do të thotë: nëse ka një mungesë të hormoneve tiroidiene në qarkullimin e gjakut të cilat janë të nevojshme për funksionim normal të organizmit, lirimi i TSH rritet nga gjëndra hipofizare duke nxitur kështu prodhimin e hormoneve të tiroides. Në të kundërtën, kur ka një prodhim të tepërt të hormoneve qarkulluese të tiroides, niveli i TSH bie duke tentuar kështu hipofiza të ulë prodhimin e hormoneve të tiroides. Tek personat me hipotiroidizëm, ekziston një nivel i ulur i hormoneve të tiroides.
Shkaktarët
Hipotiroidizmi është një gjendje mjaft e zakonshme. Në botë llogaritet të jetë nga 3-5% e popullatës, ndërsa për Kosovë nuk ka statistika. Sëmundja është prezente në të gjitha regjionet e Kosovës por më e shpeshtë tek banorët e viseve kodrinore për shkak të shpëlarjes së jodit nga shtresat sipërfaqësore të tokës. Kjo sëmundje është më e zakonshme për femra se sa për meshkuj dhe incidenca e sëmundjes rritet me kalimin e moshës.
Më poshtë po jap një listë të shkaqeve më të zakonshme të hipotiroidizmit tek të rriturit:
• Tiroiditi Hashimoto • Tiroiditi limfocitarë i cili mund të ndodhë pas hipertiroidizmit • Destruksioni i tiroides (nga terapia me jod radioaktiv ose kirurgjia) • Sëmundjet që prekin gjëndrën e hipofizës ose hipotalamin • Medikamentet • Mungesa e rëndë e jodit.
Tiroiditi Hashimoto
Shkaku më i shpeshtë i hipotiroidizmit është tiroiditi Hashimoto. Në këtë gjendje, gjëndra tiroide është zakonisht e zmadhuar (strumë ose gushë) dhe ka një aftësi të ulur për prodhimin e hormoneve të tiroides. Kjo është një sëmundje autoimune në të cilën sistemi imun i trupit në mënyrë jo të përshtatshme prek indin tiroidien.
Besohet se kjo gjendje ka bazë gjenetike. Hashimoto është më i shpeshtë tek femrat për 5 deri 10 herë më shumë se sa tek meshkujt. Gjaku i marrë nga këta pacient tregon për nivel të rritur të antitrupave ndaj enzimës së quajtur peroksidazë (shkurt At anti-TPO). Personat me këtë sëmundje mund të kenë njëkohësisht edhe sëmundje tjera autoimune si anemia pernicioze (mungesa e vitaminës B12) ose diabet mellitus tip 1.
Tiroiditi Hashimoto mund të identifikohet duke gjetur antitrupat anti-TPO në gjak ose duke bërë ultrazërin e tiroides i cili jep pamje karakteristike ultrasonografike për këtë sëmundje.
Tiroiditi limfocitarë ose tiroiditi postpartal
Ky lloj i tiroiditit ka të bëjë me inflamimin e gjëndrës tiroide. Kur inflamimi shkaktohet nga një tip i veçantë i qelizave të njohura si limfocite, gjendja njihet si tiroidit limfocitarë. Kjo sëmundje është më e zakonshme pas shtatzënisë dhe aktualisht mund të prekë 8% të grave pas lindjes.
Në këto raste, ekziston një fazë e hipertiroidizmit, gjë e cila përcillet nga një fazë e hipotireozës që mund të zgjasë për rreth 6 muaj. Shumica e grave të prekura kthehen në një gjendje me funksion normal të tiroides, edhe pse ekziston mundësia e zhvillimi të një hipotireoze e cila mund të vazhdojë edhe pas kësaj periudhe.
Shkatërrimi i tiroides si pasojë e terapisë me jod radioaktiv ose kirurgjisë
Pacientë të cilët janë trajtuar më herët për hipertiroidizëm siç është p.sh. sëmundja Grave ose Basedow dhe kanë marrë jod radioaktiv mund të lëjnë me pak ose aspak ind tiroidien funksional pas këtij trajtimi. Shanset për këtë varen nga një numër i faktorëve duke përfshirë këtu dozat e jodit të dhënë, bashkë me aktivitetin dhe madhësinë e gjëndrës tiroide.
Nëse pas 6 muajve nga trajtimi me radiojod gjëndra nuk e rimerr funksionin, me këtë konkludohet se gjëndra tiroide nuk do të funksionojë në mënyrë adekuate. Rezultati është hipotiroidizëm. Në mënyrë të ngjashme, heqja e gjëndrës tiroide me kirurgji mund të përcillet me hipotiroidizëm.
Sëmundjet e hipofizës dhe hipotalamit
Në këtë rast hipotiroidimi rezulton kur për disa arsye hipofiza ose hipotalami nuk janë në gjendje të sinjalizojnë gjëndrën tiroide për të prodhuar hormone duke rezultuar në ulje të T4 dhe T3, edhe pse gjëndra tiroide është normale.
Medikamentet
Medikamentet të cilat përdoren për trajtimin e tiroides hiperaktive mundet aktualisht të shkaktojnë hipotiroidizëm. Këtu përfshihen barnat si Methimazole dhe Propylthiouracil. Barnat psikiatrike si Lithium, gjithashu njihen si për ndryshimin e funksionit të tiroides duke shkaktuar kështu hipotiroidizëm.
Është interesant fakti që, barnat të cilat përmbajnë një sasi të madhe të jodit si Amiodaroni, Jodur kaliumi dhe Solucion Lugoli mund të shkaktojnë ndryshime në funksionin e tiroides, i cili mund të rezultojë me nivele të ulura të hormoneve të tiroides.
Mungesa e rëndë e jodit
Në vendet e ndryshme të botës ku ka mungesë të jodit në ushqime, mund të paraqitet hipotiroidizmi i rëndë në 5% deri 15% të popullatës.
Simptomat dhe shenjat
Simptomat dhe shenjat e hipotiroidizmit shpesh janë delikate, prandaj edhe sëmundja në fillimet e saj mund të neglizhohet si nga pacienti po ashtu edhe nga mjeku. Këto shenja dhe simptoma nuk janë specifike (çka do të thotë ato mund t’i emitojnë simptomat e mjaft gjendjeve tjera) dhe zakonisht i atribuohen moshës. Pacientët me hipotiroidizëm të lehtë mund të mos kenë asnjë shenjë ose simptomë. Simptomat dhe shenjat zakonisht bëhen të dukshme kur gjendja rëndohet dhe shumica e këtyre ankesave lidhen me ngadalësimin e metabolizmit.
Simptomat dhe shenjat më të zakonshme janë: • Lodhja • Depresioni • Shtimi në peshë • Ndjenja e të ftohtit • Lëkurë e zbehtë dhe e thatë • Flokë të butë, të thatë dhe thonj të thyeshëm • Kapakët e syve të lëshuar • Zmadhim i gjuhës • Çrregullime menstruale • Infertilitet/pamundësi e mbetjes shtatzënë • Anemi • Konstipacion/vështirësi në zbrazjen e zorrëve • Shtangie muskulore • Rritje e nivelit të kolesterolit në gjak • Ulje e koncentrimit • Harresë • Përgjumje • Zë i vrazhdë, të folurit e ngadalshëm • Dhimbje të papërcaktuara • Ënjtje e këmbëve.
Pacientët me hipotireozë nuk do të thotë se i kanë të gjitha këto shenja për të vënë diagnozën. Diagnoza definitive bëhet vetëm me analiza të gjakut. Duke u bërë sëmundja më e rëndë, mund të paraqitet këto shenja: ënjtje rreth syve, ngadalësim i të rrahurave të zemrës/më pak se 60 rrahje në minute, rënie e temperaturës së trupit dhe insuficiencë e zemrës.
Kur sëmundja ka përparuar, hipotiroidizmi i rëndë mund të shkojë drejt komës miksedematoze e cila është kërcënuese për jetën. Kjo gjendje kërkon hospitalizim dhe trajtim të menjëhershëm me hormone të tiroides të dhëna me anë të injeksioneve.
Nëse diagnostikohet drejt, hipotiroidizmi mund të trajtohet lehtë dhe komplet me zëvendësim të hormoneve të tiroides. Në anën tjetër një hipotiroidizëm i patrajtuar mund të çojë drejt komplikimeve serioze si zemër e zmadhuar (kardiomiopati), përkeqësim të insuficiencës kardiake, dhe akumulim të lëngut përreth mushkërive (efuzion pleural).
Diagnoza
Për hipotiroidizëm mund të dyshohet nëse pacientët kanë lodhje, ndjenjë më të madhe të të ftohtit, konstipacion ose vështirësi në zbrazjen e zorrëve, lëkurë të thatë dhe të vrazhdë. Për të vërtetuar diagnozën nevojitet një test në gjak.
Kur hipotiroidizmi është prezent, niveli hormoneve të tiroides në gjak mund të matet direkt dhe zakonisht ato gjenden të ulura. Megjithatë, në hipotiroidizmin e lehtë, niveli i hormoneve të tiroides (T3 dhe T4) mund të jetë normal. Hormoni kryesor për diagnostikimin e hipotiroidizmit është TSH. Megjithatë, ka një përjashtim. Nëse ulja e hormoneve të tiroides vie nga defekti në hipofizë ose hipotalam, niveli i TSH është i ulur.
Këto lloje të hipotiroidizmit njihen si hipotiroidizëm “sekondarë“ ose “terciarë“. TRH testi i cili kryhet dhe interpretohet nga endokrinologu diferencon origjinën e hipotiroidizmit.
Kombinimi i historisë klinike, gjetja e antitrupave të përmendur më lartë dhe shintigrafia e tiroides mund të ndihmojnë në diagnostikimin preciz të problemeve të tiroides. Nëse dyshohet për ndonjë problem hipofizar ose në hipotalam është e nevojshme të bëhet rezonanca magnetike e trurit.
Kur flitet për diagnozë duhet pasur parasysh diferencimin e sëmundjeve të cilat mund të kenë klinikë të ngjashme si insuficienca renale, sindroma nefrotike, anemia pernicioze, etj.
Hipotiroidizmi subklinik i referohet një gjendje në të cilën pacientët nuk japin shenja të hipotiroidizmit. Këta pacientë gjithashtu kanë nivel normal të hormoneve të tiroides. E vetmja shenjë jonormale është rritja e TSH në gjak. Kjo tregon se gjëndra tiroide punon mjaft fortë për të mbajtur nivelin normal të hormoneve të tiroides dhe që gjëndra tiroide kërkon stimulim ekstra nga hipofiza për të prodhuar hormone. Shumica e këtyre pacientëve mund të pritet të progredojnë në hipotiroidizëm, sidomos nëse TSH është mbi nivelin qarkullues.
Edhe pse ka mendime të ndryshme, mjaft endokrinolog i trajtojnë këto raste, sidomos nëse ata kanë nivel të lartë të kolesterolit dhe titër të lartë të antitrupave anti-TPO. Niveli i kolesterolit fillon të përmirësohet me zëvendësimin e hormoneve të tiroides. Në të kundërtën, është e arsyeshme të përcillen këta pacientë pa trajtim dhe të përsërisin TSH në gjak dhe nivelin e hormoneve të tiroides çdo 4 ose 6 muaj për të parë zhvillimin e hipotiroidizmit.
Të dyja këto qasje janë të arsyeshme dhe pacientët duhet të inkurajohen të flasin me mjekët e tyre për shqetësimet e tyre specifike dhe preferencat.
Trajtimi
Duke pasur parasysh që në këtë sëmundje kemi mungesë të hormoneve të tiroides, trajtimi i hipotiroidizmit me hormone zëvendësuese të tiroides kërkon terapi gjatë gjithë jetës.
Për këtë lloj trajtimi përdoren hormone të pastra të Levothyroxine (T4). Preferohet më shume dhënia e T4 për shkak të kohës së veprimit më të gjatë në krahasim me T3, pra T4 jepet vetëm një herë në ditë, ndërsa T3 duhet të merret disa herë në ditë. T4 më tutje konvertohet në T3 nga indet e trupit.Doza mesatare e T4 tek të rriturit është 1.6 microgram/kg në ditë ose afërsisht 100 deri në 150 mikrogram (tbl Letrox) në ditë. Kujdes në dozim duhet pasur tek moshat e shtyra si dhe tek ata me sëmundje të zemrës.
Terapia për hipotiroidizëm monitorohet afërsisht në çdo 6 javë. Pas stabilizimit të gjendjes TSH kërkohet çdo 6 muaj deri në një vit. Dozat më të mëdha sesa që janë të nevojshme mund të jenë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë problem kardiake si palpitacione, problem me tension te gjakut dhe osteoporozë.
Në një numër të konsiderueshëm të rasteve hipotiroidizmi prezantohet me shtim në peshë e cila në këto raste nuk është rrjedhojë e marrjes së tepruar të kalorive me ushqime, por për shkak të metabolizmit të zvogëluar të organizmit. Prandaj ulja e peshës është mjaft sfiduese dhe kërkohen të përpilohen dieta speciale me ushqime të zgjedhura nga endokrinologu të cilat çojnë gradualisht drejt humbjes se peshës krahas trajtimit me hormone zëvendësuese të tiroides. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje