Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, kërcënoi me konfrontim të hapur nëse qeveria e Libanit vazhdon me planet për të çarmatosur grupin militant, duke e quajtur vendimin e kabinetit një zbatim të "urdhrave SHBA-Izrael".

Këshilli i Ministrave libanezë miratoi një vendim javën e kaluar që kërkonte që ushtria të zhvillonte urgjentisht një plan çarmatimi dhe ta zbatonte atë para fundit të vitit, duke shënuar sfidën më të rëndë për Hezbollahun që nga përfundimi i luftës civile në vitin 1990.


"Vendimi është i rrezikshëm dhe e ekspozon vendin ndaj një krize të madhe", tha Qassem gjatë një fjalimi televiziv në Baalbek.

Qassem u zotua se Hezbollahu nuk do t'i dorëzonte armët e tij dhe paralajmëroi për konflikt të armatosur, nëse jo luftë të plotë, shkruan euronews.

"Partia do të luftojë një betejë historike nëse është e nevojshme përballë këtij projekti izraelito-amerikan, cilado qoftë kostoja", tha ai.

"Nuk do të ketë jetë në Liban nëse qeveria përpiqet të përballet me partinë."

Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut ia hodhi fajin qeverisë në Bejrut, duke thënë se ajo "mban përgjegjësi të plotë për çdo shpërthim të brendshëm dhe çdo shkatërrim të Libanit".

Qassem e hodhi poshtë idenë e protestave në këtë kohë "sepse ka vend për dialog me qeverinë", por paralajmëroi se demonstratat mund të përshkallëzohen nëse vlerësohet e nevojshme.

"Kjo është toka jonë së bashku, atdheu ynë së bashku, jetojmë së bashku, ose nuk ka jetë për Libanin", tha ai në një paralajmërim të drejtpërdrejtë për autoritetet.

Qassem gjithashtu falënderoi Iranin për mbështetjen e Hezbollahut "me para, armë, aftësi dhe qëndrime mediatike dhe politike". /Telegrafi/