Telegrafi

Heroi i sezonit: Pagoi transferimin e tij te La Coruna dhe udhëhoqi klubin drejt kalimit në një nivel më lartë

Futbollisti spanjoll, Lucas Perez është një nga heronjtë kryesorë të sezonit aktual futbollistik në Evropë, pasi është heroi i një historie të bukur me Deportivo La Corunan.

Në fillim të vitit 2023, Perez vendosi të bënte një lëvizje të pazakontë dhe të paguante nga xhepi i tij transferimin në Deportivon e divizionit të tretë, në të cilin mbërriti nga Cadiz, një anëtar i nivelit elitar të futbollit spanjoll.

Vetë Perez ka paguar 500 mijë euro për transferimin e tij te Deportivo dhe sot është më meritori që ky klub i famshëm, ish-kampion i Spanjës, të hyjë në kategorinë e dytë.

 

Këtë sezon, Perez, një ish-sulmues i Arsenalit, është futbollisti më i mirë i Deportivos, për të cilin ka shënuar 12 gola dhe ka regjistruar 17 asistime në 30 ndeshje.

“Më quajtën të çmendur kur u ktheva. Ata nuk e kuptonin se çfarë ishte Deportivo. Doja t’i ktheja klubit diçka nga ajo që kisha marrë dikur, të cilën nuk mund ta harroja, dhe qytetit tim dhe Deportivos, familjes time dhe miqve”, ka thënë Perez në një intervistë për gazetën AS.

Dy xhiro para përfundimit, me fitoren 1-0 ndaj Barcelonës B, Deportivo siguroi vendin e parë në tabelë dhe ngjitjen në Segunda Division pas tre vitesh lëngim në kategorinë e tretë. Perez shënoi golin e fitores në këtë ndeshje.

Perez ka lindur në La Coruna 35 vjet më parë dhe e ka nisur karrierën në këtë klub, ndërsa më pas ka luajtur për Atletico Madrid, Rayo Vallecano, Karpaty, Dinamo Kyiv, PAOK, Arsenal, Ëest Ham, Alaves, Elche dhe Cadiz.

Deportivo dikur konsiderohej si një nga klubet më të mira spanjolle, dhe ishte kampion kombëtar në vitin 2000 me një brez të shkëlqyer të udhëhequr nga Roy Makaay, Pauleta, Lionel Scaloni, Turu Flores, Djalminha dhe të tjerë.

Përveç titullit të kampionit të Spanjës, Deportivo e fitoi tri herë edhe Kupën e Mbretit. /Telegrafi/