Site icon Telegrafi

Henry, Carragher dhe Richards zgjedhin fituesin e tyre të Topit të Artë 2024 – legjendat kanë mendime të ndryshme

Jamie Carragher, Thierry Henry dhe Micah Richards të gjithë kanë vendosur se kush mendojnë se duhet të fitojë Topin e Artë 2024.

Çmimi konsiderohet gjerësisht si trofeu që çdo vit kurorëzon ‘lojtarin më të mirë’ në botë.

Ceremonia e sivjetme do të zhvillohet në Theatre du Chatelet në Paris të hënën, më 28 tetor dhe pritet të marrin pjesë disa emra të mëdhenj.

Ka një theks shtesë për çmimin këtë vit, duke pasur parasysh faktin se është viti i parë që nga viti 2003 që as Cristiano Ronaldo dhe as Lionel Messi nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve.

Dyshja mburret me 13 triumfe të Topave të Artë mes tyre, me Messin që ka tre më shumë (tetë) sesa pesë të Ronaldos.

Megjithatë, këtë vit, do të ketë një fitues të ri dhe ish-lojtarët e Ligës Premier, të kthyer në ekspertë të mediumit CBS, kanë dhënë verdiktin e tyre.

Richards dhe Henry shkuan për mesfushorin e Manchester City, Rodri, i cili aktualisht po vuan një dëmtim afatgjatë të ligamentit të kryqëzuar të përparmë, i cili ka të ngjarë ta mbajë atë jashtë për pjesën tjetër të sezonit.

“Njerëzit harrojnë mesfushorët dhe atë që bëjnë ata. Ata janë zemra e ekipit. Ai është zemra e Manchester Cityt. E di që ai nuk e fitoi Ligën e Kampionëve, por ai fitoi Euro 2024”, ka thënë Henry për CBS.

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Carragher nuk u pajtua me francezin, duke shpjeguar se si ai mendonte se Vinicius Junior e meriton çmimin.

“Unë do të shkoja për Vini Jr. Ata fituan Ligën e Kampionëve, që është gjëja më e madhe në futbollin e klubeve”.

“Është e vështirë për Rodrin për shkak të pozicionit që luan… shumë pak lojtarë ndoshta e fitojnë atë në atë pozicion – nëse jeni një mbrojtës apo një lojtar i mesfushës”.

“Sigurisht, ndoshta ai mund ta fitojë atë, ndoshta ai duhet ta fitojë atë, por janë gjithmonë lojtarët sulmues – kjo është arsyeja pse ata paguhen më shumë”, ka thënë Carragher.

Sidoqoftë, anëtari i panelit të CBS dhe ish-mbrojtësi i Man City, Micah Richards, ra dakord me zgjedhjen e Rodrit nga Henry.

“Rodri do të merrte sërish votën time për sezonin e kaluar”, shpjegoi anglezi.

Ndryshe, Vinicius Jr është aktualisht favorit për të marrë çmimin, pasi ka qenë një lojtar kyç në sezonin e kaluar ku Real Madridi fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve – duke shënuar në finalen kundër Borussia Dortmund në Ëembley në qershor 2024. /Telegrafi/

Exit mobile version