Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) i menjëhershëm ishte reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, i cili tha se pala kosovare “ka prishur” marrëveshjen e Washingtonit, e i cili pretendim hidhet poshtë nga njohësit e politikës në vend.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk është shkelë marrëveshja e Washingtonit e vitit 2020.
Haxholli përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pika e kësaj marrëveshje në të cilën Kosova është zotuar që të mos aplikojë 1 vit në organizata ndërkombëtare, ka skaduar më 4 shtator 2021.
“Me aplikim në Këshillin e Evropës, Kosova nuk e shkelë Marrëveshjen e Washingtonit të vitit 2020. Pika e kësaj marrëveshje në të cilën Kosova është zotuar që të mos aplikojë 1 vit në organizata ndërkombëtare, ka skaduar më 4 shtator 2021”, ka shkruar Haxholli në Facebook.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka dorëzuar në Këshillin e Evropës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.
Ndryshe më 4 shtator 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën praninë e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump patën nënshkruar zotimet që njihen si Marrëveshja e Washingtonit. /Telegrafi/