Site icon Telegrafi

Haradinaj takon aktivistët e fushatës ‘Besa Besë’: Duke fuqizuar prodhuesit vendorë, forcojmë shtetin tonë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim aktivistët e fushatës “Besa Besë” të kryesuar nga afaristi Burim Piraj.

Pas takimit Haradinaj ka thënë se tarifa 100 për qind i kishte inkurajuar prodhuesit vendorë për rritje të prodhimit dhe të potencialit të tyre.

“Gjatë qeverisjes sime rëndësi të veçantë i kemi kushtuar fuqizimit të prodhimeve ‘Made in Kosovo’. Taksa 100 për qind e vendosur ndaj produkteve serbe, ndikoi pozitivisht në inkurajimin e prodhuesve vendorë për rritje të prodhimit dhe të potencialit të tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se fuqizimi i prodhimeve vendore e forcon edhe shtetin.

“Në këtë frymë, kisha kënaqësinë në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës t’i pres aktivistët e fushatës ‘Besa Besë’, kryesuar nga Burim Piraj, të cilët me aktivitetin e tyre po arrijnë sukses në vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendore. Duke fuqizuar prodhuesin vendorë, forcojmë shtetin tonë. Përveç që janë burim i krijimit të vendeve të punës, ata janë kontribuuesit më të mëdhenj për ekonominë e vendit, andaj meritojnë përkrahjen tonë të pa rezervë”, është shprehur ai. /Telegrafi/

Exit mobile version