“Hapave të Sadriut dhe Azemit” - Deçani ecën për përkushtimin e një babai ndaj të birit me sindromën Down

Qytetarë nga Deçani morën pjesë dje në ecjen simbolike “Hapave të Sadriut dhe Azemit”, një nismë e veçantë që u organizua për të nderuar përkushtimin e rrallë të një babai dhe lidhjen e tij të pazëvendësueshme me të birin me sindromën Down.
Ecja u organizua nga Komuna e Deçanit, si një shenjë nderimi për bacën Sadri, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë, por la pas një histori të rrallë përkushtimi, kujdesi dhe dashurie ndaj djalit të tij, Azemit.
Disa ditë para se të ndahej nga jeta, Baca Sadri kishte thënë me krenari “15 kilometra i bëmë sot, bac. Përditë i bëjmë aq. Nganjëherë djali ka qejf me ecë më shumë e i bëjmë 20.”
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në Facebook shkroi “Hapave të Sadriut dhe Azemit – ecje për dashurinë dhe përkushtimin familjar”.
Kjo ngjarje shërbeu si një rikujtim të fuqishëm se dashuria prindërore, veçanërisht në sfidat që sjell jeta me sindromën Down, është një forcë e jashtëzakonshme që frymëzon e bashkon./Telegrafi/












































