Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një videoadresim drejtuar qytetarëve, ku thekson rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe kërkon besimin për të udhëhequr vendin drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

Në mesazhin e tij, Hamza paraqet dy rrugë të mundshme për Kosovën: një qeveri stabile që shërben qytetarët ose vazhdimi i krizave dhe përçarjeve. “Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim,” tha ai.


Kryetari i PDK-së kërkon mandatin qytetar për të formuar një kabinet profesional dhe të përgjegjshëm, duke siguruar se qeveria e tij do të veprojë me transparencë, përgjegjësi dhe rezultate, për të sjellë zhvillim dhe mirëqenie në vend.

Hamza përshkruan gjendjen aktuale si të rënduar nga krizat, pasiguria dhe jostabiliteti, duke theksuar se shpresa tek të rinjtë po zbehet. Ai apelon te qytetarët që ndryshimi është i mundur: “Kosova mundet ma mirë. Ju meritoni shumë më mirë. Ma jepni mundësinë që të sjell në shërbimin publik njerëzit më të mirë dhe më të talentuar që ka Kosova.”

Lideri i PDK-së flet për një perspektivë të re për vendin: një Kosovë stabile, prosperuese dhe me mundësi për të gjithë. “Me 28 dhjetor, e hapim kapitullin e ri. Le ta zgjedhim unitetin. Le ta zgjedhim stabilitetin. Le ta zgjedhim mirëqenien për Kosovën,” përfundon mesazhin e tij Bedri Hamza.

Mesazhi i plotë është publikuar në formë video, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë dhe të vendosin për të ardhmen e vendit në zgjedhjet e fundvitit.