Nga: Andrew Lloyd Webber dhe Alastair Webber / The Guardian (titulli: It’s grand theft AI and UK ministers are behind it. Oppose this robbery of people’s creativity)
Përkthimi: Telegrafi.com
Jemi baba e bir: njëri ka kompozuar 16 muzikale (dhe vazhdon), tjetri është bashkëthemelues i The Other Songs – një kompani e pavarur dhe lidere në fushën e muzikës dhe publikimeve. Angazhimi ynë ka punësuar mijëra njerëz në mbarë botën, duke ushqyer brezin e ardhshëm të të talentuarve. E drejta e autorit është themeli që e mbron këtë, ashtu si edhe çdo vepër krijuese – nga muzika, teatri dhe letërsia, te filmi dhe arti. Ajo siguron që krijuesit të mbajnë kontrollin dhe të shpërblehen ndershmërisht. Kjo është baza e ekonomisë krijuese. Me fjalë të thjeshta, ua mundëson artistëve dhe krijuesve të sigurojnë jetesën. Studime të panumërta kanë bërë me dije për përfitimet e jashtëzakonshme që sjell krijimtaria – muzika, teatri, vallëzimi, arti, filmi, televizioni – për shoqërinë në tërësi.
Megjithatë, sot, Qeveria britanike po propozon ndryshime që do ta zhveshin krijuesin nga kjo mbrojtje. Sipas projektligjit për të dhënat (përdorimi dhe qasja), kompanitë e inteligjencës artificiale [IA] do të lejohen të marrin vepra, qoftë të kaluara apo të ardhshme, dhe t’i përdorin si të dhëna trajnimi – pa pëlqim dhe pa pagesë. Këto modele përthithin sasi të mëdha përmbajtjeje të krijuar nga njerëzit dhe më pas gjenerojnë imitime, duke anashkaluar të drejtat e krijuesve origjinalë. Sistemi i propozuar nga qeveria, sipas të cilit krijuesit do të mund të “përjashtohen” nga ky proces dhe të ruajnë të drejtat e tyre paraprakisht, është një farsë. Teknikisht, është e pamundur që artistët të zgjedhin të mos jenë pjesë e kësaj skeme. Konsultimi i qeverisë për këtë çështje përfundon sot, por duhet ta bëjmë të qartë: ky nuk është rregullim, por një leje e hapur për IA -në që të shfrytëzojë krijimtarinë njerëzore pa asnjë pasojë.
AI mund të riprodhojë modele, por nuk krijon. Nëse lihet pa rregullim, nuk do të jetë vetëm një krizë krijuese, por një dështim ekonomik në krijim. Inteligjenca artificiale do të përmbysë tregun me imitime të gjeneruara nga makinat, duke ulur vlerën e krijimtarisë njerëzore dhe duke shkatërruar industritë që kanë miliona vende pune, që nxisin turizmin dhe përbëjnë identitetin kulturor të Britanisë. Industria krijuese, nga e cila përfitojmë të gjithë në mënyra të ndryshme, do të lëkundet dhe do të dobësohet.
Qeveria pretendon se dobësimi i ligjeve të së drejtës së autorit do të tërheqë investime në IA, duke thënë se po ofron një “regjim të së drejtës së autorit që u jep krijuesve një kontroll real, transparencë dhe i ndihmon ata të licencojnë përmbajtjet e veta”. Por, nuk ka asnjë provë që e mbështet këtë pretendim. Kompanitë globale të IA-së do të përthithin pronën intelektuale të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa do të vazhdojnë operacionet e veta diku tjetër, duke i lënë krijuesit britanikë në disavantazh. Ndërkohë, kompanitë e përgjegjshme të IA-së, si Adobe dhe DeepMind, tashmë po licencojnë përmbajtjen, duke dëshmuar se rregullimi dhe inovacioni mund të bashkëjetojnë.
Zgjidhja është e qartë. Amendamentet e baroneshës Beeban Kidron në këtë projektligj, do të vendosnin masa mbrojtëse, duke detyruar firmat e IA-së të kërkojnë leje dhe të paguajnë për përmbajtjen që përdorin. Alternativa, siç tha ajo në Dhomën e Lordëve, në muajin e kaluar, është që të vazhdojmë me iluzionin se interesat dhe e ardhmja ekonomike e Mbretërisë së Bashkuar është e njëjtë me atë të Luginës së Silikonit [Silicon Valley].
Mbrojtja e të drejtave të autorit nuk është një pengesë për inovacionin në IA; përkundrazi, është themeli që i lejon krijuesit të bëjnë punë cilësore, nga e cila IA-ja varet. Pa ligje të forta për të drejtat e autorit, krijimtaria njerëzore do të zhvlerësohet dhe do të zëvendësohet nga makinat. A duam që fëmijët tanë të zbulojnë David Bowien e ardhshëm apo një David BowAI?
Ne ndodhemi në një pikë kthese vendimtare. Epoka e transmetimit dixhital tashmë ka zvogëluar vlerën e mbijetesës së kantautorëve në atë masë sa shumë prej tyre mezi arrijnë të sigurojnë jetesën. Të ardhurat nga transmetimi shpërndahen në mënyrë të padrejtë: rreth 15 për qind për kantautorët, ndërsa shtëpitë diskografike dhe artistët marrin 55 për qind, ndërsa shërbimet e transmetimit përvetësojnë 30 për qind. Për më tepër, kantautorët nuk kompensohen paraprakisht për këngët e tyre të përdorura nga artistët dhe shtëpitë diskografike, ndryshe nga industria e televizionit, filmit dhe teatrit ku ekziston një opsion për këtë. Për pasojë, mbështetja vetëm te ai 15 përqindësh është një sfidë e pamundur. Tani, Mbretëria e Bashkuar rrezikon të bëjë një gabim edhe më të madh.
Në vitin 1710, Britania prezantoi ligjin e parë në botë për të drejtat e autorit, Statutin e Anës, duke vendosur një standard global për mbrojtjen e krijuesve. Deri në atë kohë, të drejtat e autorit për veprat e tyre u përkisnin shtypshkruesve dhe jo vetë autorëve. Vetëbotimi ishte në thelb i paligjshëm, por ky statut u dha shkrimtarëve të drejtën për të zotëruar krijimet e veta. Kjo ishte e drejtë dhe tani duket e vetëkuptueshme. Është e jashtëzakonshme që më shumë se 300 vjet më vonë, kjo qeveri po planifikon të zhbëjë këto mbrojtje.
Partia Laburiste pretendon se përfaqëson njerëzit e punës. Artistët krijues janë njerëz punëtorë dhe puna e tyre ka një vlerë të pallogaritshme – ekonomikisht, shoqërisht dhe, natyrisht, kulturalisht.
Një makinë e IA-së nuk është një person. Është koha të veprojmë dhe të mbrojmë njerëzit që qëndrojnë në zemër të ekonomisë së pakrahasueshme krijuese të Mbretërisë së Bashkuar. Nëse këto përpjekje dështojnë, të gjithë do të vuajmë pasojat. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
In Memoriam: Gene Hackman (1930–2025) - yll në çdo film ku luajti

Fallmerayer dhe e kaluara shqiptare: Në Greqi nuk rrjedh gjaku grek

Dhjetë fjalët që pasqyrojnë ndryshimet që po ndodhin në botën përreth nesh

GJUHA SHQYPE

Fjala, mendimi dhe plus-minus infiniti i numrit një
Izraeli, Gaza dhe debati i tensionuar mbi luftën dhe viktimat e saj

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA, e krahason me 'majmun kacavjerrës'

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Nga Instagrami i Gjestit e konfirmojnë që ai deshi të arratisej nga shtëpia e BBVA duke kapërcyer murin?

Cila është rruga e 'Gold Card' e Trump drejt shtetësisë dhe si mund të funksionojë?