LAJMI I FUNDIT:

Google freskon sigurinë e Android Market

Google freskon sigurinë e Android Market

Javën e kaluar, Google ka eliminuar më shumë se 21 aplikacione “të dëmshme” nga dyqani i saj virtual Android Market.

Ndërsa tani, Google thotë se e ka freskuar dyqanin e saj virtual për të mbrojtur përdoruesit të cilët kanë mundur të ndikohen nga shkarkimi i këtyre aplikacioneve qëllimkeqe.

Për më tepër, Google ka suspenduar llogaritë e zhvilluesve të cilët janë përgjegjës për aplikacione e dëmshme, ndërsa gjithashtu ka thënë se informacionet rreth tyre i ka deponuar tek autoritetet e ligjit, për t’i njoftuar ata për sulmin e bërë nga aplikacionet e zhvilluara për qëllim të keq.

Në anën tjetër, Google është duke bërë eliminimin e këtyre aplikacioneve nga përdoruesit të cilët tashmë i kanë shkarkuar ato, ndërsa u ka instaluar automatikisht edhe funksionet e reja të sigurisë në telefonat e tyre mobil.


Gjiganti softuerik Google gjithashtu u ka dërguar email të gjithë përdoruesve të cilët ende nuk e kanë pranuar azhurnimn e fundit të sigurisë, ndërsa ka premtuar se së shpejti të gjithë ata që janë prekur nga këto aplikacione të dëmshme do të njoftohen përmes informimit i cili do të paraqitet në pajisjet e tyre Android. / Telegrafi /