LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Speciale mund ta përçajë skenën politike të Kosovës

Gjykata Speciale mund ta përçajë skenën politike të Kosovës

Aktakuzat e para nga Zyra e Prokurorit të ri Speciali në Hagë për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, të cilat priten në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2017, mund të nxitin jo vetëm thirrje për zgjedhje të parakohshme, por mund të kenë gjithashtu një efekt të thellë në skenën e përgjithshme politike në vend.

Në shënjestrat kryesore të këtyre aktakuzave priten të përfshihen një numër zyrtarësh të lartë nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, që ishin pjesë e lidershipit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, gjatë luftës.

Pavarësisht skepticizmit në lidhje me efikasitetin e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave Speciale – zakonisht e njohur si Gjykata Speciale – analistët vendas besojnë se ekziston një mundësi që skena politike e Kosovës do të ndryshojë, me kusht që drejtësia të ndiqet në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.


Aktakuzat ka gjasa të çojnë drejt fundit koalicionin qeverisës mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, pasi një numër i madh çështjesh mund të kenë lidhje me dhunën politike të dyshuar se është kryer gjatë dhe pas luftës nga UÇK-ja kundër njerëzve që tani zyrtarë të LDK-së.

“Paditë do ta destabilizonin PDK-në”, tha për BIRN Halil Matoshi, një komentator politik nga Prishtina.

Pakënaqësia brenda LDK-së në lidhje me “martesën” e saj aktuale me PDK-në mund ta ulë lidershipin aktual të LDK-së në favor të atyre që e kundërshtojnë koalicionin.

“Fushatë persekutimi”

Sipas një raporti të vitit 2011 të Këshillit të Europës, i vërtetuar gjerësisht në vitin 2014 nga një investigim nga Task Forca Speciale Investiguese e BE-së, një numër i papërcaktuar anëtarësh të UÇK-së dyshohet se janë të përfshirë në një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, trafikim organesh, arrestimet e paligjshme, trafik droge dhe dhunë seksuale gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 midis forcave serbe dhe atyre të UÇK-së.

Raporti i Këshillit të Evropës ishte fokusuar kryesisht në aktivitetet e të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”, i cili dyshohet se përbëhej nga zyrtarë të lartë të UÇK-së, përfshirë edhe ish-kryeministrin dhe liderin e PDK-së dhe presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu aktual i PDK-së, Kadri Veseli, dhe figura të tjera të larta të PDK-së.

Si Thaçi ashtu edhe Veseli i kanë mohuar akuzat.

Thaçi ka thënë vazhdimisht se ai dhe Kosova “nuk kanë asgjë për të fshehur”, ndërsa në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Kosovës, Veseli i bëri thirrje “të gjithë dëshmitarëve të paraqiten”, duke thënë se ai dhe kolegët e partisë së tij e mbështesnin krijimin e Dhomave Speciale sepse ishte në interes të Kosovës.

Ligji për Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokuroti Special, i mandatuar me autoritetin për të ndjekur penalisht dhe gjykuar rastet “që kanë lidhje me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011” u miratua nga Kuvendi i Kosovës në gusht 2015.

Përveç kësaj, ligji i dha të drejtë gjykatës të gjykojë rastet e dhunës politike që kanë nën shënjestër kundërshtarët politikë të lidershipit të UÇK-së.

Raporte të ndryshme kanë pohuar se ka pasur një fushatë të organizuar për vrasje, rrëmbim, ndalim të paligjshëm dhe tortura që shënjestronin bashkëpunëtorë të ngushtë të liderit të LDK-së dhe ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe anëtarëve të UÇK-së besnikë ndaj tij.

Implikime për PDK-në

Një deklaratë e kohëve të fundit nga kryetari i Kuvendit Veseli se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen, nëse ka një konsensus midis partive politike të Kosovës u interpretua gjerësisht si një lëvizje në lidhje me aktakuzat e pritshme.

Besohet gjerësisht se një votim i parakohshëm parlamentar para se të ngrihen aktakuzat e para mund të shërbejë si një politikë sigurimi për PDK-në, e cila, sipas sondazheve, vazhdon të kryesojë në skenën politike të Kosovës.

Komentatorë politikë vendas besojnë se aktakuzat do të ndikonin në imazhin e PDK-së.

“Aktakuzat do ta dobësonin PDK-në, por nuk do ta eliminonin atë nga skena politike”, tha për BIRN Nexhmedin Spahiu, komentator politik dhe drejtor i Radio Mitrovicës.

Por nëse zyrtarët e saj gjykohen si fajtorë nga gjykata e re speciale, kjo do të mund të kërcënonte të ardhmen të gjithë e partisë.

“Nëse aktakuzat vërtetohen nga vendimet e Dhomave Speciale, mbijetesa e PDK-së do të jetë e vështirë, sepse askush s’do të dojë të vazhdojë të identifikohet me të”, tha Matoshi.

Shumë njerëz në Kosovë besojnë se seanca e fundit plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila u thirr nga PDK-ja për të kundërshtuar vendimin e gjykatës apelit të javës së kaluar për të lënë në fuqi vendimin për dënimin e dhjetë ish-luftëtarëve të UÇK-së nga Drenica për krime lufte, tregoi çarje në parti në lidhje me gjykatën e re speciale.

“Do të ketë përçarje të mëdha brenda PDK-së, për shkak se do të fillojë një luftë e brendshme, e cila është parë tashmë në debatin e kohëve të fundit … Do të shpërthejë një luftë në lidhje me kush i përket kujt dhe kush mbështeti kë,” u shpreh Matoshi.

“Në fund të fundit, nëse lidershipi i PDK-së shkon në Hagë, njerëzit do të fillojnë ta braktisin atë, sepse është në natyrën e njerëzve të braktisin atë po gjykohet, sidomos nëse akuzat kundër personave të akuzuar lihen në fuqi,” shtoi ai.

Trashëgimia e dhunës politike

Përveç akuzave në lidhje me krimet kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të dyshuar si bashkëpunëtorë të regjimit të Sllobodan Millosheviçit, pjesë e sferës së juridiksionit të gjykatës speciale janë edhe vrasjet e motivuara politikisht të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2001.

Një sërë bashkëpunëtorësh të ngushtë të udhëheqësit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, u vranë apo u plagosën në sulme gjatë kësaj periudhe.

Këtu përfshiheshin vrasja në e tentativë e anëtarit presidencial të LDK-së Sabri Hamiti në vitin 1998 dhe vrasja e mikut të ngushtë dhe aleatit të Rugovës, kreu i informimit të publikut te LDK-ja Enver Maloku, në vitin 1999.

Një sërë zyrtarësh të lartë të LDK-së të cilët ishin anëtarë të parlamentit paralel të Kosovës nën sundimin e Serbisë, përfshirë edhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu, u mbajtën në paraburgim në luginën e Drenicës të kontrolluar nga UÇK-ja për disa ditë, kur ata e vizituan atë në pranverën e vitit 1998.

Njëri prej tyre, Gjergj Dedaj, kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, tha në një intervistë televizive në vitin 2011 se të burgosurit ishin marrë personalisht në pyetje nga Hashim Thaçi dhe se ata ishin torturuar ndërsa merreshin në pyetje.

Akuzat e tij u bënë pasi ai u shkarkua nga Thaçi nga posti i zv/ministrit të transportit në vitin 2010, dy ditë pasi u emërua për shkak të një shpërdorimi të dyshuar fondesh gjatë kohës që ai ishte ministër i punës dhe mirëqenies sociale.

Ahmet Krasniqi, ministër i mbrojtjes në qeverinë e Rugovës në mërgim, u qëllua gjithashtu për vdekje në Tiranë në vitin 1998.

Pas luftës, disa anëtarë të lartë të UÇK-së besnikë të Rugovës dhe disa prej aleatëve të tij më të ngushtë u vranë ose u tentua t’u merrej jeta.

Ndër ta përfshiheshin Ekrem Rexha, i njohur ndryshe edhe si komandanti Drini, Tahir Zemaj, ish-deputeti Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj dhe miku i afërt i Rugovës dhe këshilltari i tij, Xhemajl Mustafa.

Fetah Rudi, ish-kreu i degës së LDK-së në Malishevë, u qëllua gjithashtu menjëherë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2000 dhe ka mbetur i paralizuar si pasojë e asaj plagosjeje.

Sipas pohimeve të bëra në një dokumentar televiziv të quajtur “Shënjestra LDK “, të transmetuar këtë javë në Zona Express, rreth 100 aktivistë të LDK-së, zyrtarëve dhe mbështetës të shquar janë rrëmbyer, vrarë apo të plagosur midis viteve 1998 dhe 2001.

Të mbijetuarit dhe të afërmit e disa prej viktimave thanë se besojnë se vrasjet janë kryer nga anëtarët e UÇK-së.

Edhe pse asnjë nga këto raste nuk është paditur apo gjykuar deri më tani, LDK-ja ka akuzuar vazhdimisht strukturat politike të UÇK-së si ato që fshihen pas vrasjeve – por, pavarësisht kësaj, lidershipi i saj ka qenë në koalicion me PDK-në tri herë, kryesisht për shkak se sistemi zgjedhor i Kosovës nuk lejon ndonjë palë t’i afrohet shumicës në kuvend.

Në rastin e një padie në lidhje me vrasjet e motivuara politikisht, LDK-ja mund ta gjejë veten në një pozitë të ngjashme me PDK-në, duke çuar në një konflikt të brendshëm dhe shpërbërje të mundshme të partisë.

“Lidershipi i LDK-së dhe partia opozitare Vetëvendosja së do të preken nga Gjykata Speciale edhe nëse asnjë prej aktivistëve të saj nuk akuzohet, sepse pozicioni i një numri njerëzish në këto parti varet nga pushteti i PDK-së”, pohoi Spahiu.

“Qëndrimi i gjatë në një pozitë pushteti i ka dhënë PDK-së avantazh dhe ajo ka arritur të krijojë marrëdhënie të stilit klientelist me liderët e partive rivale,” shtoi ai.

Matoshi tha se ai beson se koalicioni qeverisës mund të kërcënohet nga ndonjë aktakuzë, e cila do të pasohej nga një zënkë e brendshme në LDK.

“Koalicioni qeverisës do të shpërbëhet me aktakuzat e para. Brenda LDK-së do të ngrihen pikëpyetje, me anëtarësinë që pyet liderët e saj “Kush shkoi në shtrat me partinë tjetër, zyrtarët kryesorë të të cilës akuzohen për krime lufte?”, tha ai.

Implikime për skenën politike

Ndryshimet në skenën politike të Kosovës nuk arrihen lehtë, sepse partitë qeverisëse kanë arritur të vendosin kontroll të fortë të stilit klientelist mbi pothuajse çdo sektor në vend.

Korrupsioni, nepotizmi dhe mungesa e qeverisjes së duhur kanë ngecur edhe zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës, ndërkohë që mungesa e impaktit nga misionet e jashtme të drejtësisë, përfshirë ato të OKB-së dhe BE-së, kanë bërë shumë njerëz skeptikë se përpjekjet e fundit ligjore mund të bëjnë shumë ndryshim.

Shumë njerëz gjithashtu besojnë se “ndërkombëtarët” në Kosovë i kanë shfrytëzuar gabimet e politikanëve të lartë për të arritur vetë qëllimet e tyre, siç janë bërjet e lëshimeve ndaj Serbisë.

Nga ana tjetër, besohet se liderët aktualë politikë kanë mësuar të përdorin gjuhën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut që flitet nga ndërkombëtarët, duke e bërë të duket për të dy se dëshirat e tyre po realizohen.

“Shkalla në të cilën Gjykata Speciale do të ndikojë në skenën politike të Kosovës varet nga qëllimi i aktiviteteve të saj. Sa më i gjerë qëllimi, aq më i madh do të jetë ndikimi i saj”, tha Spahiu.

“Nëse kjo gjykatë bëhet vërtet funksionale dhe nëse ajo udhëhiqet nga provat dhe jo nga politika, dhe nëse ka keqardhje për viktimat dhe vullnet për të vënë drejtësi, atëherë ajo do të ndikojë thellësisht skenën politike të Kosovës, duke theksuar vlera të reja në vend të atyre të vjetrave – arroganca, agresioni, spastrimi etnik dhe vuajtjet e njerëzve të tjerë si qëllime patriotike dhe heroike”, tha Matoshi.

Megjithatë, disa ende shpresojnë ende se nëse disa nga liderët e Kosovës akuzohen dhe gjykohen tani, kjo do të transformojë spektrin politik.

Berianë Mustafa, e bija e ish-bashkëpunëtorit të vrarë të presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa, tha në dokumentarin “Shënjestra LDK” se kjo mund të jetë mundësia e fundit për drejtësi.

“Gjykata Speciale është shpresa jonë e fundit. Shpresa jonë e vetme”, tha ajo. /KALLXO.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori