Gjinovci dhe Klinaku përplasen për protestat para rektoratit

Gjinovci duke folur në studion e Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se me protestën e sotme por edhe me paralajmërimin për demonstrata, OVL UÇK po e kërcënon rendin ligjor të Kosovës.
“Ju po bëni vepër penale. Ju po kërcënoni rendin ligjor të Kosovës. Rektori po e përfill ligjin dhe në këtë pikë fëmijët e veteranëve nuk janë të privilegjuar”, tha Gjinovci.
Por, Klinaku ka thënë se e drejta është në anën e veteranëve, pasi duhet respektuar udhëzimi administrativ.
Ai ka replikuar me Gjinovcin duke e akuzuar atë se ka lidhje me rektorin.
”Unë nuk e di si mund t’i dilni në përkrahje një rektori mashtrues. Ju keni ndonjë lidhje që s’po e bëni publike. Ai është manipulues dhe është vazal i ndërkombëtarëve, e ju po e përkrahni. Nuk mund t’i pranoj ai pakicat dhe tu thotë jo fëmijëve të veteranëve”, tha ai.
Sekretari i OVL të UÇK-së rëndoi edhe më shumë akuzat ndaj Gjinovcit.
“Ju keni marrë iniciativa për ta ndihmuar Serbinë dhe këtu flisni kot. S’keni të drejtë. Për këtë kam dëshmi. Ju s’keni të drejtë të flisni sepse nuk përfaqësoni asgjë. Çka jeni ju që keni kundër fëmijëve të veteranëve”, tha Klinaku.
Duke i konsideruar banale deklaratat e Klinakut, Gjinovci tha se njerëzit e luftës po i shkelin vlerat me kalimin e kohës.
“Më vjen keq që jam tu e thënë, por jeni duke e shty popullin e Kosovës me jau rrëzu përmendoret dhe me ju fshi prej historisë, qoftë krahu i luftës që e ka keqpërdorur pushtetin, qoftë ju që dilni me kërkesa banale”, deklaroi aktivisti i shoqërisë civile.
Gjinovci ka thënë se nëse është e vërtetë që rektori i ka pranuar studentët e pakicave pa provim pranues, atëherë ai do të lidhet tek dyert e rektoratit.




















































