Një nga problemet më të mëdha të elektromobilitetit është mungesa e stacioneve të karikimit. Kjo është e lidhur drejtpërdrejt me shqetësimin dhe pasigurinë e pronarëve dhe drejtuesve të automjeteve elektrike:

A do të mund ta karikoj veturën në stacionin e ardhshëm? Po nëse ai është i zënë dhe në radhë presin edhe dy makina të tjera? A do të arrij deri te stacioni tjetër? Por, a është vërtet kështu?


Në tregun më të rëndësishëm evropian, Gjermaninë, duket se po shfaqet një lloj i ri shqetësimi. Investimet e larta në stacionet e karikimit po duken gjithnjë e më të vështira për t’u justifikuar financiarisht në një afat të shkurtër.

Numri i regjistrimeve të reja të automjeteve elektrike në Bashkimin Evropian është rritur me gati një të katërtën, duke arritur në rreth 413 mijë njësi në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas Shoqatës së Prodhuesve Evropianë të Automjeteve (ACEA), kjo shifër është më e ulët se sa pritej.

Si një nga arsyet për rritjen më të ngadaltë të shitjeve është përmendur mungesa e stacioneve të karikimit. Por, a është kjo arsyeja e vërtetë?

Numri i stacioneve publike të karikimit në Gjermani është rritur me rreth një të pestën, duke arritur në 161.686 në krahasim me vitin e kaluar.

Kjo përfshin edhe 36.278 stacione karikimi të shpejtë, numri i të cilave është rritur me 39 për qind brenda një viti. Megjithatë, sipas portalit gjerman të industrisë "Automobilwoche", mijëra nga këto stacione karikimi mbeten kryesisht të pashfrytëzuara – pra janë bosh.

Për këtë arsye, shumë kompani që instalojnë pajisje karikimi po planifikojnë të ngadalësojnë ritmin e zgjerimit dhe të ulin investimet në këtë sektor. /Telegrafi/