Ngarkesa e parë e tankeve Leopard 2 nga Gjermania është dërguar në Ukrainë, ka thënë ministria gjermane e mbrojtjes.
Siç vënë në pah mediat e huaja, përcjell Telegrafi, tetëmbëdhjetë tanke luftarake u dorëzuan pasi ekuipazhet ukrainase u trajnuan për t’i përdorur ato.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se ishte i sigurt se tanket mund të “luanin një kontribut vendimtar” në vijën e parë të luftës.
Dhe sipas raporteve nga Ukraina, atje kanë mbërritur edhe tanket Challenger 2 nga Britania e Madhe.
Ukraina ka kërkuar prej muajsh për më shumë automjete dhe sisteme armësh për të ndihmuar në luftimin e pushtimit rus.
Qeveria ukrainase nuk ka komentuar ende për mbërritjen e Leopard 2, por ata kanë konfirmuar mbërritjen e tankeve të parë Challenger 2 të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar.
Rreth 2000 Leopard 2, të konsideruar gjerësisht si ndër tanket më të mirë të betejës kryesore të prodhuara nga vendet e NATO-s, janë në përdorim nga vendet evropiane.
They have arrived!
Strykers and Cougars from 🇺🇲, Challengers from 🇬🇧, Marders from 🇩🇪 have officially joined the Air Assault Forces of the #UAarmy!
The greatest vehicles for the best soldiers.
Onward! pic.twitter.com/xZnjtdnwfq— Defense of Ukraine (@DefenceU) March 27, 2023
Gjermania ra dakord të furnizonte Ukrainën me tanke në janar, pasi fillimisht hezitoi ta bënte këtë – apo edhe t’i lejonte vendet e tjera të dërgonin të tyret.
Sipas ligjit gjerman, Berlini duhet të miratojë që Leopard 2 të rieksportohet nga çdo vend.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka theksuar se tanket “kanë hyrë në duart e miqve tanë ukrainas siç u premtua dhe në kohë”.
Ndryshe, ushtria gjermane ka trajnuar ekuipazhet e tankeve ukrainase për të përdorur variantin e avancuar A6 të Leopard 2 gjatë disa javëve të fundit. /Telegrafi/