Një kompani start-up nga Zvicra ka zbuluar planet për ndërtimin e një tuneli nëntokësor për tren, i cili do të mund të transportonte pasagjerë me një shpejtësi prej 1.200 kilometrave në orë – derisa udhëtojnë nën alpet e bukura të këtij vendi.
Kompania e njohur Swisspod ka premtuar se mund të realizojë projektin që transporton pasagjerët por edhe mallra nga Gjeneva në Cyrih për vetëm 17 minuta – apo sikur nga New Yorku për në Washington DC për vetëm 30 minuta, transmeton Telegrafi.
Swisspod planifikon që këtë projekt ta prezantoj dhe në katër ose pesë vitet e ardhshme ta bëjë realitet. Kështu të paktën pretendon Denis Tudor, drejtor ekzekutiv dhe njëherit themelues i kompanisë.
Tudor më herët pati njoftuar se ky tren do të duhej të lëvizte me shpejtësi prej 1.200 kilometra në orë. Një sistem të ngjashëm e kishte propozuar shumë vite më parë inxhinieri amerikan Robert Goddard – i cili në vitin 1910 ishte i bindur se një gjë e tillë mund të arrihet.
E në vitin 2013 ishte miliarderi amerikan Elon Musk, themelues i kompanisë Space X që shfaqi interesim për një tren dhe tunel të tillë që do të lëviz nën tokë dhe do të arrij në destinacion për pak minuta. /Telegrafi/