Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet L.F, i cili dyshohet për vrasjen e një personi që ishte raportuar i zhdukur nga familjarët, trupi i pajetë i të cilit është gjetur sot në malet e fshatit Manstirc i Komunës së Ferizajt.
Në njoftimin e Prokuroria Themelore dhe të Policisë së Kosovës në Ferizaj thuhet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML).
Në njoftim thuhet se Prokuroria në koordinim me Policinë, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje penale.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale L.F., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërsa Policia ka njoftuar se është arrestuar një person në Ferizaj, i dyshuar për “Vrasje të rëndë” në lidhje me rastin e një personi të raportuar të zhdukur.
“Më 29.01.2025, familjarët raportuan në Policinë Rajonale të Ferizajt se B. V., i lindur në vitin 1987, ishte larguar nga shtëpia më 22.01.2025 rreth orës 17:00, në fshatin Pleshinë e Ulët, dhe që nga ajo kohë nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tij. Policia Rajonale e Ferizaj / hetuesit rajonalë ndërmorën kërkime dhe hetime të vazhdueshme, duke kërkuar gjithashtu ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmonte në gjetjen e tij”, thotë policia.
Tutje thuhet se “më 05.02.2025, rreth orës 12:00, në malet në mes të fshatrave Zaskok dhe Manastirc të Ferizajt, është gjetur një trup i pajetë, ku dyshohet së është i B. V. Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt”.
“Pas veprimeve të hetuesve dhe ekspertëve krim-teknikë në vendin e ngjarjes, prokurori i rastit ka urdhëruar dërgimin e trupit për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Bazuar në hetimet e zhvilluara, informacionet e siguruara dhe provat e mbledhura, hetuesit rajonalë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin L. F. (M/K), 30 vjeç. Ai është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonalë, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, njofton policia. /Telegrafi/