Site icon Telegrafi

Gërvalla takon homologun e saj turk, diskutime për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në NATO

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka takuar homologun e saj turk, Hakan Fidan, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut.

Gërvalla përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në takim kanë diskutuar për bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve, si dhe për tema tjera të rëndësishme, transmeton Telegrafi.

“Fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, ishin temat në fokus të takimit me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, të mbajtur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut”, ka pohuar ajo.

Gjithashtu, ajo thotë se vlerësojnë përkrahjen unanime të deputetëve turq, për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Vlerësuam bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona, përfshirë përkrahjen unanime nga deputetët e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, shton mes tjerash ajo.

Ministrja gjithashtu ka shkruar se mirëpret përkrahjen turke edhe për FSK-në.

“Në kontekst të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe aspiratës legjitime të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, mirëprita vazhdimin e përkrahjes turke për realizimin sa më të shpejtë të këtij synimi”, thekson ajo.

Ministrja Gërvalla në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ka realizuar disa takime të rëndësishme./Telegrafi/

Exit mobile version