Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka takuar sot drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët ka trajtuar drejtpërdrejt çështjet që lidhen me sigurinë, menaxhimin dhe integritetin e sistemit korrektuese.

Gërvalla në një postim në Facebook shkruan se institucionet korrektuese kërkojnë disiplinë, profesionalizëm dhe standarde të qarta të llogaridhënies në çdo nivel të drejtimit.


“Gjatë vizitës në Lipjan takova drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët trajtuam drejtpërdrejt çështjet që lidhen me sigurinë, menaxhimin dhe integritetin e sistemit korrektues. Siguria në institucionet korrektuese, parandalimi i kontrabandës, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe zbatimi i plotë i ligjit janë përgjegjësi që nuk lënë hapësirë për kompromis.

Institucionet korrektuese kërkojnë disiplinë, profesionalizëm dhe standarde të qarta të llogaridhënies në çdo nivel të drejtimit. Çdo institucion duhet të funksionojë me rend të plotë, me kontroll efektiv dhe me përgjegjësi të qartë institucionale, sepse çdo dobësi në këtë sistem dëmton drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në drejtësi”, tha ajo.

Tutje, ministrja Gërvalla theksoi se sistemi korrektues duhet të jetë i fortë, i disiplinuar dhe i drejtë.

“Kjo kërkon udhëheqje të vendosur, zbatim të pakompromis të ligjit dhe përkushtim të plotë institucional për të garantuar sigurinë, rendin dhe integritetin e çdo institucioni korrektues në vend. Këto standarde nuk janë vetëm pritje institucionale, por përgjegjësi që do të ndiqen me seriozitet dhe vëmendje të vazhdueshme nga afër”, tha ajo. /Telegrafi/