Ulja e TVSH-së për ushqimet nga 18% në 10%, si dhe subvencionimi i kontributeve për të punësuarit.

Këto janë disa nga kërkesat kryesore të gastronomëve në prag të vitit të ri. Sezoni jo aq i mirë turistik këtë verë, si dhe problemet me të cilat përballen për shkak të mungesës së stafit dhe çmimeve të larta të produkteve, i ka detyruar përsëri gastronomet sërish të drejtohen tek Qeveria.


„Në rajonin Ohër-Strugë ka turizëm sezonal dhe përballemi me probleme për të mbajtur punonjësit gjatë 12 muajve. Është kërkuar dhe ende kërkojmë një formë subvencioni për punonjësit që qëndrojnë 12 muaj në punë, që të subvencionohen të paktën për periudhën më të ulët sezonale, për të na ndihmuar që të mos kemi humbje të mëdha“, tha Kërste Blazheski – kryetar i HOTAM.

Kërkesat tashmë janë paraqitur brenda këshillit të ri të themeluar për turizëm, ku marrin pjesë ministri i kulturës e turizmit, si dhe përfaqësues të sektorit turistik.

„Tatimi për restorantet duhet të ulet, TVSH-ja, për të qenë më konkurrues. Nëse ajo ulet dhe punonjësit janë të shtrenjtë, atëherë një kafe në Ohër del shtrenjtë. Por kjo kontribuon në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve. Është e nevojshme që kjo çështje të rishikohet“, shtoi Kërste Blazheski – kryetar i HOTAM.

Megjithatë, disa mendojnë se duhet të tregohet kujdes për llojin e ndihmës që vjen nga shteti.

„Nuk duhet të lejojmë që kjo të kthehet në një marrëdhënie borxh-kreditor, apo të arrijë në një nivel të parazitizmit. Që nga viti 2010 deri sot, turizmi dhe zhvillimi turistik kanë qenë të bazuar kryesisht në subvencione. Duhet të bëhet një reset, çdo ndihmë është e mirëpritur, por duhet të mendohet në mënyrë sipërmarrëse“, u shpreh Kliment Naumov – profesor në Fakultetin e Turizmit.

Naumov thotë se subvencionimi është një masë ekonomike afatshkurtër, duke aluduar në ndihmën financiare që shteti ka dhënë gjatë viteve për çdo turist të huaj të sjellë në Maqedoni. Për shembull, për turistët nga vendet e Beneluksit ndahen 65 euro për çdo turist të sjellë, të cilat, sipas tij, në fund përfundojnë tek operatori turistik i huaj, në vend që të përfshihen në ekonominë vendase./Alsat.mk