Site icon Telegrafi

Gashi: Para 20 vitesh shërbimi informativ serb ka draftuar plan për financimin e xhamive në Kosovë

Ish-zëvendësministri për Komunitete, Milazim Gashi, vazhdon të deklarojë se Serbia qëndron pas financimit të disa xhamive në Kosovë.

Sipas tij, shërbimi informativ serb ka draftuar një plan program për financimin e xhamive dhe Kosova të paraqitet si një vend islamik para ndërkombëtarëve.

“Jo vetëm këto dy xhami, ky ka qenë vetëm si model, si hyrje realisht. Ne kemi më shumë se dy xhami të ndërtuara në Kosovë… kam lëshuar një dokument ku shihet shumë qatë ku shërbimi informativ serbe, realisht para 20 vjetësh ka draftuar një plan program për financimin e xhamive në Kosovë. Dhe edhe sot qëndrojmë mbi atë element që Serbia e ka një dorë, sa i përket financimit të xhamive”, ka thënë Gashi në “Debat Plus”, teksa ka publikuar edhe një dokument që pretendon se është i shërbimit sekret serb.

Lexo po ashtu U tha se disa xhami në Prishtinë janë të financuara nga Serbia, Tërnava paralajmëron padi: Nëse ka vetëm një argument do t'i rrënoj që sot

Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava ka paralajmëruar padi ndaj ish-zëvendësministrit Gashi.Tërnava ka deklaruar se nëse dikush argumenton një gjë të tillë, atëherë ai personalisht do t’i rrënojë këto xhami, duke shtuar “ janë shpifje dhe gënjeshtra të kulluara”.

“Nuk ka ndodhë dhe nuk do të ndodhë kurrë që BIK të marrë para nga Serbia, prandaj ky njeri do të ndiqet penalisht. E sfidojë atë zotërinë dhe çdokënd tjetër në Kosovë që nëse argumentojnë një gjë të tillë, unë personalisht do t’i rrënojë ato xhami. Mirëpo kjo është shpifje, është çmenduri”, ka thënë Myftiu Tërnava ndër të tjera. /Dukagjini/

Exit mobile version