LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Deri në qershor, Istogu do të bëhet me palestër

Gashi: Deri në qershor, Istogu do të bëhet me palestër

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi është zotuar sot në Istog se brenda pesë muajsh ky qytet do të ketë palestrën sportive.

Këtë premtim Gashi e bëri gjatë vizitës në Palestrën Sportive në Istog, ku po zhvilloheshin punimet për përgatitjen e kësaj qendre.

I pyetur për stërzgjatjen e projekteve për palestrën sportive në Istog, Gashi tha se tashmë ka ardhur koha të ndërpritet drama e shkaktuar deri më tash, duke përfunduar një palestër e jashtëzakonshme në të cilën do të ushtrojnë edhe hendbollistët e Istogut të cikët kanë hyrë në gjashtëmbëdhjetën e parë në Evropë.


“Janë pikërisht këto projekte që nuk janë përfundua dhe kanë stërgjatë shumë, që ka 13 vite që ka filluar. Një dramë e paarsyeshme që ky projekt nuk ka përfunduar për sportistët e sportdashësit dhe hendbollistët e Istogut që kanë tregu sukses të jashtëzakonshëm. Zotohem që ky projekt do përfundojë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019. Mjetet financiare tashmë i kemi të gjitha të siguruara. Kërkova nga kompania që në qershor ta dorëzoj palestrën dhe ne të ia dorëzojmë komunës dhe sportdashësve. Është investim kryekëput i MKRS dhe besoj se do jemi të vendosur që për këto pesë muaj që kanë mbet këtë palestër të ia dorëzojmë Komunës së Istogut”, tha ai.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij viti do të përfundojnë të gjitha projektet e filluara tash e sa vite për palestrat sportive. Ai tregoi se tashmë ka përfunduar palestra e Shtimes dhe Rahovecit, ndërsa palestra e Istogut do të jetë projekti i radhës që do të përfundojë brenda këtij viti.

Gashi shprehu mbështetjen e tij për hendbollistët e Istogut, derisa shtoi se janë duke ndihmuar të gjitha klubet që kanë treguar suksese.