Gashi del me reagim: Kam thënë se Kosova është atdheu i prindërve të mi

Kreu i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi ka dalë me sqarim në lidhje me deklaratën e tij mbi atdheun, pas reagimit të mandatarit Hristijan Mickoski.
Gashi thotë se vendlindja e tij është Maqedonia e Veriut, ndërsa shpjegon se në deklaratën e tij në intervistën për RTK, ka deklaruar se Kosova është atdheu i prindërve të tij.
"Kur flasim për temën e atdheut, unë jam në dijeni për akuzat dhe deformimet nga media të ndryshme, të cilat përpiqen që ashtu ta tërheqin vëmendjen. Si kryetar i Kuvendit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dua të sqaroj se Afrim Gashi ka lindur në Shkup, këtu jeton dhe punon me familjen e tij dhe vendlindja e tij është Maqedonia e Veriut".
"Për shkak të opinionit po shpjegoj se deklarata e saktë në intervistën time ishte se “Kosova është vendlindja ose atdheu i prindërve të mi dhe, si të tillë, unë e respektoj për hir të tyre”".
Ndryshe, dje mandatari për Qeverinë e re, i kërkoi Gashit që ta sqarojë deklaratën e tij, duke shtuar se atdheu i tij është Maqedonia./Telegrafi/





















































