Të dielën e ardhshme, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave ku gara nuk përfundoi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Në shumicën e komunave që kanë shkuar në balotazh, tashmë janë zyrtarizuar disa koalicione politike, ndërsa në disa të tjera – përfshirë edhe kryeqytetin – marrëveshjet mbeten ende në pritje të konfirmimit, raporton Telegrafi.


Prishtinë

Në garën për kryeqytetin, LDK ka zyrtarizuar koalicionin me AAK-në, ndërsa lëvizja qytetare “Prishtina në dorën tënde” i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Endrit Zabërgja nga Nisma Socialdemokrate, ka deklaruar se janë “shumë afër finalizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në”.

Mbështetje publike kandidatit të LDK-së i ka dhënë edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Prizren

Në qytetin historik, PDK ka arritur koalicion me LDK-në dhe vazhdon të ketë edhe në balotazh mbështetjen e SDU-së së Duda Baljes.

LVV ka nënshkruar koalicione me Bashkimin DemokratikZafir Berishës, AAK-në dhe me parti të komuniteteve – të udhëhequra nga Emilja Rexhepi, Albert Kinolli dhe Erxhan Galushi.

Ende nuk është e qartë pozita e KDTP-së, e cila ka peshë të konsiderueshme elektorale.

Mitrovicë

Në këtë komunë, PDK ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me LDK-në, AAK-në, AKR-në dhe KDTP-në.

Vushtrri

Kandidati i LDK-së ka lidhur marrëveshje me LVV-në, mirëpo ky koalicion nuk është pranuar nga Kryesia qendrore e LDK-së.

Fushë Kosovë

Në Fushë Kosovë, LVV ka arritur koalicion me AAK-në, ndërsa LDK ka nënshkruar marrëveshje me PDK-në, Nismën dhe PLE-në.

Junik

Në Junik, AAK ka arritur marrëveshje me LVV-në, ndërsa LDK e ka pasur koalicionin me PDK-në që nga raundi i parë.

Dragash

Në Dragash, PDK ka lidhur koalicione me LVV-në, Vakat-in dhe kandidatin e pavarur Nexhmedin Sejdilar, ndërsa LDK e ka pasur marrëveshjen me SDU-në e Duda Baljes që nga raundi i parë.

Komuna pa marrëveshje zyrtare

Deri më tani, ende nuk janë zyrtarizuar koalicione në komunat e Pejës, Gjakovës, Klinës, Suharekës, Rahovecit, Vitisë dhe Kaçanikut.

Zgjedhjet e raundit të dytë pritet të zhvillohen më 9 nëntor./Telegrafi/