Fushat “e zeza” të Kosovës

Ndeshja derbi e Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Hajvalisë dhe Trepçës '89 që ishte paraparë të luhej të dielën në Kishnicë u shty për më vonë, pasi fusha në Kishnicë ishte e mbuluar me ujë. Hajvalia në mungesë të stadiumit të saj, ndeshjet si vendas po i luan në Kishnicë. Por jo edhe kur bie shi, shkruan sot kohaditore.
Për shkak të erës dëme të mëdha pësoi stadiumi i Trepçës '89, ai "Riza Lushta" në Mitrovicë. Kulmi që është vendosur tash vonë dhe që nuk dihet nëse kanë përfunduar të gjitha punët rreth tij, për shkak të erës u shkatërrua. Gjysma e mbulojës së tribunës së këtij stadiumi ra në tokë për shkak të erës. Dëme të mëdha nga era pësoi edhe fusha ndihmëse e stadiumit "Riza Lushta" që është e mbuluar me bar artificial.
Stadiumet e fushat e skuadrave tjera të Superligës këtë fundjavë shpëtuan më lehtë. Por asnjëra skuadër e Raiffeisen Superligës nuk mund të mburret që e ka të rregulluar çështjen e infrastrukturës. Të paktën nuk mund të mburret që nuk ka pasur telashe për një periudhë pak më të gjatë, për shembull për dy-tre vjet. Të gjitha skuadrat e Superligës anë pasur kohë më parë vështirësi me infrastrukturë. Problemet që lidhen me infrastrukturën janë pjesë e pandashme e futbollit kosovar.






















































