Leicester City ka konfirmuar largimin e legjendës së klubit, Jamie Vardy, në fund të sezonit 2024/25. 

Sulmuesi 38-vjeçar do t’i japë fund një kapitulli të jashtëzakonshëm që zgjati plot 13 vite, duke lënë pas vetes një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e klubit. 


Vardy iu bashkua Leicesterit në vitin 2012 nga Fleetwood Town për një shumë modeste prej 1 milionë euro.  

Ai u shndërrua në ikonën e klubit, duke regjistruar gati 500 paraqitje dhe pothuajse 200 gola – një rekord historik që e bën atë golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave për “Dhelprat”. 

Kontributi i tij në titullin e pabesueshëm të Ligës Premier në vitin 2016 dhe fitorja në FA Cup në vitin 2021, e kanë ngulitur emrin e tij përgjithmonë në zemrat e tifozëve.  

Edhe këtë sezon, në moshën 38-vjeçare, Vardy vazhdoi të tregojë vlerë, duke shënuar shtatë gola në Ligën Premier, pavarësisht rënies së skuadrës në Championship. 

Pas një sezoni zhgënjyes, të cilin vetë Vardy e quajti “turp”, ai kërkoi ndjesë publike për paraqitjet e dobëta të ekipit, duke pranuar se përgjegjësia ishte kolektive. 

“Kam pasur 13 vite të pabesueshme në këtë klub – me shumë suksese, disa ulje, por më së shumti momente të jashtëzakonshme. Më dhemb që ka ardhur kjo ditë, por e dija që do të vinte. Dua të falënderoj të gjithë ata që më pranuan si një të vetin. Leicesteri do të mbetet gjithmonë në zemrën time”, ka thënë Vardy. 

Megjithëse po largohet nga Leicester, Vardy nuk e ka në plan të varë këpucët në gozhdë. Ai mbetet i hapur për të vazhduar karrierën si futbollist, qoftë në Ligën Premier apo jashtë saj. 

Largimi i tij shënon një kapitull të ri për Leicesterin, ndërsa klubi përpiqet të rindërtohet dhe të rikthehet fuqishëm në elitën e futbollit anglez. /Telegrafi/  

telegrafi sport app