Mpirja e shputave dhe e shuplakave mund të jetë simptoma e parë, fillestare dhe e hershme e polineuropatisë, e cila nënkupton dëmtimin e fijeve nervore periferike të gjymtyrëve.
Dr. Blerim Myftiu
Neurolog
Mpirja apo djegia e majave të gishtave është simptoma e parë e polineuropatisë në zhvillim e sipër
Njëra prej ankesave të shpeshta me të cilën përballemi në punën e përditshme mjekësore dhe atë neurologjike në veçanti është mpirja, djegia, therja apo ndjesia e shtypjes në majat e gishtërinjve të shputave dhe të shuplakave. Lloje të ndryshme të ndjeshmërisë së ndryshuar pacientët kanë tendencë të shpjegojnë me terma dhe shprehje të ndryshme. Nuk janë të rralla përshkrimet si: “më ecin buburrecat”, “ndjej sikur të prekem me rrymë” apo “nuk i ndjej si të miat shputat dhe shuplakat e këmbëve”.
Mpirja e shputave dhe e shuplakave mund të jetë simptoma e parë, fillestare dhe e hershme e polineuropatisë, e cila nënkupton dëmtimin e fijeve nervore periferike të gjymtyrëve. Ky dëmtim zhvillohet zakonisht në mënyrë kronike (ekzistojnë edhe polineuropatitë akute) dhe kryesisht fillon nga pjesët më të largëta të gjymtyrëve, që nënkupton majet e gishtërinjve. Për shkak të gjatësisë më të madhe të nervave periferikë të këmbëve në krahasim me ato të krahëve (për shkak të gjatësisë më të madhe të këmbëve krahasuar me krahët), preken së pari gishtërinjtë e shputave apo vetë shputat. Me përparimin e mpirjes në drejtim të kyçeve të këmbëve dhe më pas drejt kërcinjve dhe gjunjëve, fillon edhe mpirja e duarve dhe e gishtërinjve të tyre. Këto polineuropati janë zakonisht simetrike, d.m.th. prekin në përmasa të barabarta të dy gjymtyrët përgjegjëse.
Kur bëhet fjalë për polineuropatinë klasike e cila u përmend në fillim, fijet nervore sensitive janë ato të parat që zakonisht preken duke ia hapur rrugën ndjenjave të ndryshme siç janë mpirja, djegia, ftohtësia, përvëlimi. Kurse, më pas, gjatë rrjedhës së sëmundjes, në rast se vjen deri te prekja e fijeve nervore motorike, vjen deri te humbja e fuqisë muskulore që po ashtu fillon nga shputat dhe shuplakat dhe mund të ecën më tutje në drejtimin proksimal
Diagnoza e polineuropatisë paraqet etapën e parë të hulumtimit të gjatë deri te shkaku i saj
Polineuropatitë për nga ecuria kohore e zhvillimit të ankesave mund të jenë akute apo kronike, për nga shkaktarët mund të jenë metabolike (diabeti, uremia, dializa, çrregullimet endokrinologjike), infektive (borreliozë), inflamatore (sindroma Guillan-Barre, polineuropatia kronike inflamatore demielinizuese, dermatomioziti, polimioziti) apo toksike (pas kimioterapisë, alkoolike, profesionale). Përveç polineuropative të fituara, ekzistojnë edhe ato të trashëguara që përmblidhen me një emër të përgjithshëm si Charcot-Marie-Tooth. Amiotrofia laterale skleroze duhet të përmendet me veçoritë e veta karakteristike ku theksohet mungesa e dëmtimit të fijeve sensitive, por përfshirja e fijeve motorike qendrore (motoneuroni i parë) krahas atyre periferike (motoneuroni i dytë).
Një ndër shkaktarët më të shpeshtë të polineuropatisë është diabeti apo sëmundja e sheqerit. Vetë diabeti është shumë shpesh i pranishëm si një sëmundje kronike e popullatës, prej këtu daton edhe ballafaqimi i shpeshtë në praktikën neurologjike me polineuropatinë diabetike. Polineuropatia diabetike është e pranishme në rreth gjysmën e pacientëve që vuajnë nga tipi 1 apo 2 i diabetit melit. Në tipin e parë të diabetit (të varur nga insulina), ajo mund të shfaqet pas vitesh vuajtjeje nga kjo sëmundje. Kurse, në tipin e dytë (të pavarur nga insulina), mund të manifestohet shumë shpejt pas diagnostikimit me sëmundjen e sheqerit; sidomos në rastet me kontrollim të dobët të nivelit të sheqerit në gjak.
Simptomat dhe shenjat e polineuropatisë diabetike janë të shumëllojshme. Pacientët më së shpeshti ankohen për mpirje të shputave dhe të shuplakave apo djegie, therje, dhembje, elektrizim, kruarje të tyre. Ankesat sensitive mund të shoqërohen më tutje edhe me dobësimin e fuqisë së muskujve të caktuar, duke u reflektuar me vështirësinë e ngritjes së gishtit të madh të shputës, ngritjen në përgjithësi të shputës apo vështirësinë në ngjitjen e shkallëve. Të shpeshta janë edhe ankesat që kanë të bëjnë me funksionet autonome të cilat janë jashtë vullnetit të individëve, për shembull: vështirësi në gëlltitje, dhembje barku, mundimi, pamundësia e kontrollimit të urinës dhe të nevojës së madhe.
Nuk mjafton të thuhet se sheqeri në gjak është normal
Në pacientët me diabet dhe polineuropatinë shoqëruese, nuk është e mjaftueshme matja e vetëm nivelit të sheqerit në gjak. Ky nivel ndryshon gjatë ditës dhe nuk është tregues i sigurt për nivelin e rregullimit të sheqerit në qarkullim. Hemoglobina A1c (HbA1c) është test i cili realizohet nga mostra e gjakut dhe jep pasqyrë të qartë për efektin e barnave antidiabetike ndaj rregullimit të nivelit të sheqerit në gjak. Ndaj nuk duhet të mjaftohemi me shpjegimin se “niveli i sheqerit në gjakun tim është normal”! HbA1c ka shumë gjasa të jetë e lartë në pacientët me polineuropati diabetike – gjë që tregon se terapia e tyre aktuale kundër diabetit është e papërshtatshme apo e pamjaftueshme.
Trajtimi i simptomave të polineuropatisë diabetike varet nga niveli i rregullimit të kënaqshëm të nivelit të sheqerit në gjak. Sa më i mirë të jetë i rregulluar diabeti, aq më të mëdha janë gjasat për parandalimin e polineuropatisë apo për zbutjen e saj atëherë kur tanimë është zhvilluar. Rrjedhimisht, nevojitet bashkëpunim dhe mirkëkuptim i ngushtë ndërmjet neurologut dhe endokrinologut për adresimin sa më të mirë të gjendjes.
Jashtë kontrollit të sheqerit në gjak, ekzistojnë një mori opsionesh që kanë aprovim dhe rekomandim ndërkombëtar për trajtimin e simptomave të ndryshme (djegie, mpirje, elektrizim, dhembje) të polineuropatisë. Në këtë drejtim mund të përmenden barnat antiepileptike (gabapentina, karbamazepina, pregabalina), antidepresantët treciklikë (amitriptilina), antidepresantët e radhës SNRI (duloksetina), antidepresantët e tipit SSRI (citaloprami, paroksetina), antiaritmikët (lidokaina) dhe shumë të tjerë që janë madje në fazën e hulumtimit. Kompleksi i vitaminave B, vitamina B6 dhe B12 ndaras, acidi alfa-lipoik, omega 3 janë disa opsione suplementare që shpesh përdoren në praktikën e përditshme për qetësimin e simptomave.
Si në shumë sëmundje të tjera kronike dhe komplikimet e tyre, kujdesi maksimal për rregullimin sa më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak në fazën e parë të diabetit, është masa më e suksesshme parandaluese e zhvillimit të polineuropatisë.
Roli i ENMG-së në detektimin e polineuropatisë
Pas dyshimit në polineuropati në bazë të ankesave të pacientit dhe gjetjeve tona gjatë ekzaminimit objektiv dhe laboratorik, realizohet elektroneuromiografia apo ENMG-ja, e cila paraqet ekzaminimin përmes të cilit përcaktohet në mënyrë përfundimtare diagnoza e polineuropatisë. Parimi në të cilin mbështetet ky ekzaminim është se vetë fijet nervore prodhojnë elektricitet lokal përmes shkëmbimit të elektrolitëve nëpër membranat e tyre. Në saje të ENMG-së jemi në gjendje që përmes aplikimit të elektricitetit nga jashtë (me forcë maksimale prej 100 mili-amperësh) të përfitojmë informata për aftësinë përcjellëse të elektricitetit nga ana e nervit; d.m.th. funksionin e tij.
Secili prej nervave të ekzaminuar e ka pikën e vetë në të cilën mund të bëhet stimulimi dhe pikën regjistruese në të cilën regjistrohet përgjigjja ndaj këtij stimulimi. Janë tre parametra që i vlerësojmë gjatë realizimit të kësaj matjeje: latenca (koha nga stimulimi i jashtëm deri te reagimi i nervit), amplituda (madhësia e elektricitetit të prodhuar nga nervi gjegjës) dhe shpejtësia e përcjelljes së impulsit (shpejtësia me të cilën informata bartet nga pika ku është stimuluar deri te pika ku është regjistruar). Në bazë të ndryshimeve në parametrat e lartpërmendur, konkludohet për llojin e dëmtimit të nervit dhe nevojën e ekzaminimeve shtesë laboratorike.
Gjatë realizimit të ENMG-së, shpesh paraqitet nevoja e vlerësimit të muskujve që inervohen nga nervat motorikë dhe analizimi indirekt përmes tyre i rrënjëve nervore në palcën e kurrizit. Për këtë arsye shërben ekzaminimi me gjilpërë e cila në të vërtetë shërben si antenë që e reflekton potencialin neuromuskulor në monitorin kompjuterik. Ekzaminimi realizohet me futjen e gjilpërës në muskul, studimin e muskulit kur është në qetësi dhe më pas gjatë tkurrjes/kontraksionit të vullnetshëm të tij.
Anatomia e sistemit nervor periferik
Fijet nervore periferike janë pjesë përbërëse të sistemit nervor periferik në kuadër të të cilit sistem bëjnë pjesë nervat që ndodhen jashtë trurit dhe palcës së kurrizit. Për thjeshtësi të sqarimit, nervat periferikë në përgjithësi mund t’i ndajmë në nerva sensitivë dhe motorikë. Nervat sensitivë janë ato të cilat fillojnë nga mbaresat/receptorët të cilët ndodhen anekënd trupit dhe mbarojnë në trupin (ganglionin) gjegjës që ndodhet në rrënjën e pasme nervore, mu para hyrjes në kanalin spinal. Këto fije nervore shërbejnë për pranimin e çdo informacioni nga mjedisi i jashtëm (prekja, dhembja, të ftohtët, të nxehtët etj.) dhe përpunimin e tyre në qendrat e sipërme trunore. Ndërkaq, nervat motorikë janë ato që burojnë nga briri i përparmë i palcës së kurrizit dhe shkojnë deri në muskulin gjegjës duke ia mundësuar këtij të fundit që ta kryejë funksionin me të cilin anatomikisht është i ngarkuar. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët