LAJMI I FUNDIT:

Frank Auerbach dhe pikturat e fundit të jetës!

Frank Auerbach dhe pikturat e fundit të jetës!
“Vizioni im i pikturës ishte shpërthimi” … Auerbach (sot 92 vjeç) në studion e vet në vitet 1970 (foto: Heritage Image Partnership Ltd/Alamy)

Nga: Dale Berning Sawa / The Guardian (titulli origjinal: ‘I’m doing what may be my last paintings’: Frank Auerbach on his new self-portraits and turning 92)
Përkthimi: Telegrafi.com

Frank Auerbach dikur tha se pas Luftës së Dytë Botërore Londra ishte “peizazh i mrekullueshëm me gremina, male dhe shkëmbinj plot dramë”. Është ky një përshkrim që mund të zbatohet po aq lehtë për fytyrën e tij të moshuar, duke gjykuar nga veprat që sapo janë shfaqur në një ekspozitë të re në qytet.

E titulluar Njëzet autoportrete dhe që është hapur në galerinë Hazlitt Holland-Hibbert, ekspozita përfshin piktura në dërrasa dhe vizatimet në letër, që të gjithat të realizuara nga viti 2017. Këtu ai duket si zog; atje si pemë; atje si gur që nuk lëviz nga stuhia. Artisti sapo ka mbushur 92 vjet, jeton ende aty ku punon, siç ka bërë gjithmonë – i vetëm në një studio në veri të Londrës. E telefonoj në orën 9:00 të mëngjesit të së Premtes së Mirë. Lajmërohet në cingërimën e parë. Për dekada, shkrimtarët kanë luftuar për t’i gjetur fjalët e duhura për ta përshkruar Auerbachin: vetmitar, eremit, murg, obsesiv. Rutina e tij e përditshme dukej sikur kurrë nuk ndryshon: zgjohej para orës 7:00 të mëngjesit për të vizatuar në rrugë të qeta, pastaj punonte në studio – çdo ditë të vitit – me një nga pak modelët e tij që kishte gjatë dekadave. Siç thotë modelja veterane, historiania e artit Catherine Lampert: “Është i vetëm, për çdo mbrëmje, se kështu do”.


“Në fakt, nuk bëj më vizatime të përditshme”, thotë Auerbach. “Po i bëj në studio dy pikturat e mia të vogla të fundit, me skena të jashtme. Por, kam punuar këtë mëngjes. Kur u ngrita, pashë [tek ajo që dje bëra] diçka që dukej adekuate, por krejtësisht e panevojshme dhe fshiva gjithçka. Sigurisht, tani duket krejt ndryshe. Por, ende nuk është mirë – dhe do të vazhdoj me këtë proces për aq kohë sa duhet”.

Autoportreti V (2021)

Kritiku Robert Hughes, i cili e shkroi një monografi të mirënjohur të Auerbachut në vitet 1990, tha se një “ndjesia mbizotëruese e të qenit i vetëm në botë” ishte në qendër të punës së artistit britanik me origjinë gjermane. Do të ishte joshëse ta lidhim atë përmbledhje me Auerbachun që më në fund del në autoportret. Megjithatë, kur e shoh në detaje, më bën përshtypje se si puna e tij në fakt përfundohet në një marrëdhënie të qëndrueshme. Emrat e modelëve shpesh bëjnë pjesë te titujt: EOW (shoqëruesja e dikurshme e Auerbachut, Estella Olive West), JYM (Julia Yardley Mills, një modele profesioniste që pozoi për 40 vjet), Julia (gruaja e tij që nga viti 1958), Jake (i biri i tij ) dhe një treshe autorësh të artit, William Feaver, Lampert dhe David Landau. Prania e tyre kaptohet nga procesi kërkues i Auerbachut – i provave të përsëritura, pastaj fshirjeve, pastaj përpjekjeve të reja për ta bërë një imazh që është i vërtetë. Dhe, duke e bërë këtë në shumicën e rasteve për të paktën 20 vjet, e ndonjëherë edhe për më shumë se 40 vjet.

Kur i thash se vepra e tij nuk flet për vetminë, por për lidhjen, ai përgjigjet: “Kjo është absolutisht e vërtetë. Dhe, ndoshta është e vërtetë që përvojat tona më të thella janë njerëzit e tjerë. Mendoj se subjekti ka rëndësi. Dhe, duket se e vetmja gjë që ia vlen të përdoret për artin e dikujt është përvoja më e thellë. Mendoj se vizatimet e mia, ndonjëherë ato në retrospektivë më flasin shumë për marrëdhënien time me njerëzit që kam vizatuar. Njerëzit thonë se po e shprehin veten – por, unë nuk po e shpreh veten aspak. Përpiqem ta bëj një imazh”. Megjithatë, vite më vonë, mund ta shikonte një vepër “dhe të shihte se si ndihesha në atë kohë, por nuk e kuptoja atëherë”.

Auerbachu gjithmonë ka hedhur poshtë çdo nocion se vepra e tij është ekspresioniste. Ai flet për termat formalë, për nevojën për të pasur ose ndier “gungë” të çdo gjëje që vizaton në mendjen e vet. Feaver, autori që pozoi për të çdo javë që nga viti 2003, dikur e përshkroi veten si “një gungë e dobishme”. Nuk mund të rezistoj e të mos pyes Auerbachun: “A je ti gungë e dobishme?”

“Jam gungë shumë e dobishme!”, thotë ai me shpejtësi. “Nuk bisedoj. Jam shumë i vetëdijshëm për sakrificën e madhe që bëjnë modelët e shenjtë kur vijnë të ulen para meje. Por, nëse e ndiej se dua të shkoj te dera tjetër për 20 minuta, për ta parë gjënë me një sy të freskët pas kthimit, këtë mund ta bëj”.

Katalogu për Njëzet autoportretet përmban një artikull të Michael Roemerit, të regjisorit dhe shkrimtarit amerikan, i cili ishte ndër të parët që bleu një [vepër] Auerbach. Ishte viti 1950 dhe piktori ishte vetëm 19 vjeç. Roemeri pagoi 10 guinejë;. Nuk mund të shpjegonte pse, por i duhej vepra. Dhe, vazhdoi të mblidhte më shumë dhe të jetonte i rrethuar me to për 40 vjet. Duke folur me telefon nga Florida, e përshkruan skicën e tij të preferuar: atë me letrën krejtësisht të konsumuar dhe të mbështetur mbi një tjetër copë letre gjithashtu të konsumuar dhe të arnuar. E di se cilës i referohet: njërës prej kokave të EOW-së nga fundi i viteve 1950.

Të dy burrat u takuan si të rinj, të moshës 11 dhe 8-vjeçare. Ishte viti 1939 dhe ata ishin në Bunce Court, një shkollë me konvikt për jetimët në Kent, që u dërguan kryesisht nga familjet e veta nga Berlini nëpërmjet Kindertransport-it. Roemeri, tani 95 vjeç, u takua për herë të fundit me Auerbachun tre vjet më parë. E thanë lamtumirën e tyre. Por, shton Roemeri, kur flasin në telefon, thjesht vazhdojnë aty ku e kanë lënë. “Duket sikur nuk kaluan vitet”.

Roemeri u largua nga Britania e Madhe – për në ShBA – në moshën 17-vjeçare. E kujton Auerbachun, tre vjet më të ri se vetja, duke ngjyrosur disa çizme me bojëra uji. “Nuk ishte një gjë e përfunduar, por nuk ishte skicë. Ishte thjesht shumë më ndryshe nga gjithçka që bënin fëmijët e tjerë dhe shumë më mirë se gjithçka që mund të bëja unë”.

Autoportreti IV (2022)

Auerbachu i ka përshkruar disa nga linjat në autoportretet e mëparshme si “shenjat e një plaku”. Por, këto vepra të reja ndjehen tamam të freskëta. Janë të vogla me një theks të theksuar vertikal, me linjat e furçës dhe të qymyrit që shkojnë poshtë si gjemba ose trungje. Janë gjithashtu më të rralla se veprat e mëparshme.

Auerbachu ka punuar në periudha më të gjata. “Ishte çështje fizike”, thotë ai – një performancë e përshkruar nga modelët me fjalët që mund të përdoren për një ndeshje boksi, largim dhe kërcim. Por, ekuilibri i tij nuk është aq i mirë sot. “Është ende fizike, por më duket se jam duke u kapur për këmbalecin me njërën dorë dhe duke punuar me tjetrën. Ndoshta gjurmët bëhen pak më përmbledhëse dhe më të reduktuara”.

Është gjithashtu distilimi i një jete, siç thotë ai, duke mësuar se si të vizatojë. Edhe tash, një vepër konsiderohet e përfunduar dhe e vlefshme vetëm nëse e kalon testin përfundimtar: i bëhet një fotografi bardhezi për ta kontrolluar strukturën grafike. Kur e vizaton veten, them unë, duhet të ndjejë gjithashtu strukturën e vet, kockat e veta aktuale. A e ushqen kjo mirëkuptimin e tij? Pothuajse gjithçka, thotë ai. “Ndonjëherë vazhdoj të vizatoj në gjumë. Më parë nuk isha i vetëdijshëm për ëndrrat e mia, por tani e gjej veten duke i zgjidhur gjërat, duke menduar se duhet ta bëj këtë me atë”.

Summer Building Site, një vepër e vitit 1952 në të cilën dy shkallë të verdha qëndrojnë mes formave të theksuara në portokalli dhe jeshile, është thelbësore për historinë e origjinës së Auerbachut: kjo ishte hera e parë që ndjeu se e kishte bërë pikturën e vet – dhe nuk e dinte nëse do t’ia dilte mbanë ndonjëherë me një tjetër. “I mbaj mend të gjithat, saktësisht”, thotë ai. “Ndjeva se po e thyej barrierën e zërit. Po shpërtheja dhe po bëja diçka të re”.

Teksa flasim, ai ka – si gjithmonë – një libër të hapur në dyshemenë e studios. Këtë herë bëhet fjalë për mësuesin e tij të vjetër, David Bomberg. Auerbachu mund të dëgjojë ende gjërat – e pacensuruara, të padurueshme – që do t’i thoshte Bombergu. Auerbachu dikur e gjurmoi prejardhjen e tij të pikturës që nga Bombergi (“i cili ndoqi klasat e mbrëmjes së Walter Sickertit”) te Whistleri te Degasi te Ingresi dhe deri në Raphaeli. Këto ditë mendon shumë për Picasson, si dhe për Rembrandtin dhe Michelangelon. Flet për këta të mëdhenj se janë në dhomë me të: janë komuniteti i tij, siç thotë ai, biseda e tij.

Në galerinë Tate Britain të Londrës është varur Nudoja e EOW-it e Auerbachut nga viti 1953-1954, një pikturë me gjatësinë e një krahu, por krejtësisht konfuze. Kthehem për ta parë. Nga afër e vlerësoj trashësinë e bojës, më pas nga larg e shoh figurën që del si mermer i çarë nga një fushë llave. Pothuajse shtatë dekada më vonë, ajo është e egër, e turpshme, ende Hughesiane në risinë tronditëse. “Vizioni im i pikturës”, tha një herë Auerbach, “ishte shpërthimi”.

Roemer më thotë se po e shkruan një libër. Thjesht shpreson se do të jetojë mjaftueshëm për ta përfunduar. Auerbach gjithashtu shpreson. “Për sa kohë që mund të vesh pantallonat që i përdori për pikturim dhe për sa kohë ta kem një furçë në dorë ose një laps grafiti, ndihem aktiv. Uroj që të dy të biem teksa përpiqemi të punojmë”. /Telegrafi/